Skandali i qumështit/ Në Francë, i kontaminuar që në 2005-ën

01/02/2018 23:34

Kompania franceze e produkteve të bulmetit ‘Lactalis’, e cila është në qendër të skandalit për qumështin me salmonelë, pranoi se disa prej produkteve të saj mund të kenë qenë të kontaminuara prej më shumë se një dekade.

Miliona kuti me qumësht ‘Formule’ janë tërhequr nga tregu në të gjithë botën, pas shpërthimit të salmonelës vitin e kaluar. Studiuesit pretendojnë se i njëjti lloj bakteri kishte qenë përgjegjës edhe për një epidemi të shpërthyer në 2005-ën.

Në një intervistë për një gazetë, drejtori ekzekutiv i kompanisë franceze, Emmanuel Besnier tha se analizat kishin treguar se fabrika ku besohet të ketë ndodhur kontaminimi, ishte përgjegjëse edhe për epideminë e vitit 2005, kur 146 fëmijë u prekën nga salmonela.

Ndërsa në 2017-ën, të paktën 38 raste u identifikuan në Francë dhe Spanjë. Sipas tij, kriza do t’i kushtojë kompanisë qindra miliona euro. Të enjten, studiues të Institutit Pasteur, në Paris, deklaruan se bakteri i salmonelës kishte qëndruar në fabrikën Craon, në veri të vendit, deri në mbylljen e saj vitin e kaluar. Prindërit e fëmijëve të infektuar kanë ngritur padi ndaj ‘Lactalis’.

Top Channel