Kuvendi u mblodh në seancë plenare, ku në rend të ditës këtë të enjte janë disa çështje për të cilat mazhoranca dhe opozita kanë ndasi të thella.

Së pari, në Kuvend do të diskutohet propozimi për ndryshim të ligjit për arsimin parauniversitar në kuadër të nismës “3 lëndë në 6 orë”.

Të mërkurën, në Komisionin e Edukimit opozita akuzoi ministren Nikolla gjatë seancës së dëgjimit se nisma është ndërmarrë pa u konsultuar dhe e nxituar. Anëtarët e PD dhe të LSI-së thanë në këtë Komision se ndryshimet në mes të vitit akademik vendosin në vështirësi mësuesit dhe nxënësit. Ministrja tha se nisma është e një grupi prindërish, mësuesish dhe nxënësish dhe nuk cenon programin mësimor.

Gjithashtu, në seancë do të diskutohet edhe projektligji për negociimin me kompaninë turke “Cengiz Construction” për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Edhe ky projektligj është qortuar fort nga opozita. Deputetja Jorida Tabaku tha gjatë diskutimeve në Komision se propozimi shkel direktivat e Bashkimit Europian në pikën ku flitet për garancinë që ofron shteti shqiptar për kompaninë private në rast të fitimit të munguar nga operimi i aeroportit.

Një tjetër pikë është edhe kalimi i listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë. Kjo është lista e dytë që dorëzohet në Kuvend, e cila që të miratohet në bllok duhet të sigurojë 94 vota.

Top Channel