Basha: Kupola mafioze ekstradoi Seitin. Balla: Opozita i trembet reformës në drejtësi

01/02/2018 12:07

Me thirrjet “Hajdut, kriminelë” sa herë që nga salla merrnin fjalën deputetët e mazhorancës, opozita vijoi të mbajë të bllokuar foltoren e Kuvendit deri në momentin kur Taulant Balla kërkoi ndërprerjen e seancës.

Në fjalën e tij, Balla e interpretoi qëndrimin e opozitës me zbatimin e reformës në drejtësi.

“Sa herë që ka në Parlament një votim të rëndësishëm për reformën në drejtësi, ndodhin këto skena”, tha ai.

Por, jashtë sallës së Kuvendit, Lulzim Basha përsëriti akuzat ndaj Qeverisë për ekstradimin e Nezar Seitit.

“Sipas vetë pohimeve të familjarëve të tij, ishte bërë gati të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke rrëzuar çdo alibi të Edi Ramës për të mos dorëzuar Saimir Tahirin, duke u dhënë kështu peshkun e madh shqiptarëve”, tha Basha.

Kreu i PD-së thotë se në ekstradimin e Nezar Seitit janë të përfshira dhe përgjegjëse të gjitha institucionet.

“Mafia në pushtet e ekstradoi për të mbrojtur Saimir Tahirin, Edi Ramën dhe kupolën mafioze në pushtet. Ky skandal vërteton se Kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme janë bërë të gjithë bashkë për t’i mbyllur gojën bashkëpunëtorir të drejtësisë”, u shpreh ai.

Top Channel