Foto LSA

Kryeqyteti është shumë afër mbjelljes së 100 mijë pemëve të reja duke përmirësuar jo vetëm anën estetike të Tiranës por dhe një mjedis të shëndetshëm.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, Veliaj ftoi që këtij aksioni mbarëqytetar t’i bashkohen edhe këshilltarët e djathtë.

“Kemi nisur një fushatë për të mbjellë 100 mijë pemë të reja në tiranë Brenda një sezoni dhe kemi vendosur si afat datën 21 mars që është Dita Ndërkombëtare e Pyjeve. Ne jemi shumë pranë këtij objektivi. Jam shumë optimist që në 50 ditët që na kanë mbetur jo vetëm do ta kalojmë, por do të kemi një target të ri dhe mënyrës e si e shikojmë gjelbërimin, oksigjenimin në qytetin tonë. Do të doja të bëja një ftesë publike. E di që shumica e anëtarëve të këshillit bashkiak të mazhorancës është përfshirë në këto aksione, por do të doja që për një aksion të tillë që nuk na ndan në të majtë dhe në të djathtë apo në mazhorancë dhe në opozitë, të gjithë të kishim një mundësi që të kontribuonim. Kështu që do diskutoj dhe me z. Çollaku që nëse ka një dëshirë edhe nga grupi juaj që do t’i bashkohen kësaj fushate, do të ishte një mesazh fantastik për të gjithë qytetin”, theksoi Veliaj.

Lajmi tjetër i mirë është se kanë mbërritur në Tiranë biçikletat e para të flotës prej 4000 mjetesh Bike&Go.

“Së shpejti këto biçikleta do të shpërndahen në qytet për t’u përdorur nga të gjithë qytetarët kundrejt një pagese fare modeste që është më e ulët se vetë bileta e autobusit. I bindur që ky është një moment kthese në përdorimin e transportit alternativ në Tiranë”, nënvizoi ai.

Për të lehtësuar dhe nxitur përdorimin e biçikletave në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po punon edhe për projektin ambicioz për ndërtimin e 10 km korsi të dedikuara.

Top Channel