Tensionet mes PDIU-së, që de facto kontrollon Bashkinë e Dibrës dhe kryetarit të Bashkisë, socialistit Muharrem Rama, shpërthyer në mërkurën në një formë të dhunshme përmes një rrahje masive.

Deri vonë ngjarja është tentuar të minimizohet, por informacionet nga qyteti veri-lindor detyruan policinë të dalë me një deklaratë zyrtare.

Sipas policisë, rreth orës 09:10 Drejtoria e Policisë së Dibër u njoftua me një telefonatë se në ambientet e Bashkisë po ndodhte një konflikt mes disa personave.

Policia mbërriti në vendngjarje dhe konstatoi se disa punonjës të Bashkisë së Dibrës, të ndihmuar nga persona të jashtëm, kishin hyrë nga dera e pasme e godinës dhe goditën shefin e Burimeve Njerëzore të Bashkisë, shtetasin Drini Mataj dhe dy shtetas të tjerë Hektor Daci dhe Erjon Doka.

Të lënduarit po marrin trajtimin mjekësor në Spitalin e Peshkopisë dhe ndodheshin jashtë rrezikut për jetën. Policia thotë në njoftimin e saj se ka identifikuar autorët e dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tyre.

Sqarimin për arsyet e kësaj ngjarje të pazakontë i dha më vonë vetë kryetari i Bashkisë Muharrem Rama, i cili në momentet e para pas ngjarjes u mbyll në spital me të lënduarit dhe nuk përgjigjej në telefon.

Fillimisht kryebashkiaku njoftoi për një dalje për mediat, por më pas reagimin e bëri në Facebook ku shkroi se 20 deri në 30 persona, pjesë e të cilëve edhe të punësuar në Bashkinë Dibër, militantë të PDIU-së, me në krye zv.Kryetarin e Bashkisë Olti Cani dhunuan një pjesë të stafit të Bashkisë së Dibrës.

Ata hynë me forcë në ambientet e Bashkisë duke rrahur e goditur rëndë 4 pjesëtarë të tjerë të stafit të Bashkisë, që aktualisht po kurohen në Spitalin Rajonal Dibër.

Sipas kryebashkiakut, dhunuesit kanë pasur për qëllim të ushtrojnë presion mbi personelin e Bashkisë në mënyrë qe të ndikojnë në vendimet e tyre në funksion të interesave të tyre partiake e klanore.

“Prej kohësh PDIU po ushtron presion për të ndikuar në vendimmarrje, dhe kjo situatë ka ardhur duke u përshkallëzuar për shkak të transformimeve dhe ristrukturimit që po ndodh në Bashkinë e Dibër. E gjithë kjo është dicka e paprecedent dhe nuk ka ku të rrijë, gjë që tregon se çfarë niveli dhe begraundi përfaqësojnë njerëzit e PDIU-së në Dibër. Kemi të bëjmë, jo me një parti politike, por me një bandë horrash, që mendon t’i zgjidhë problemet dhe interesat e saj me dhunë fizike ndaj punonjësve të shtetit, që sulmon e dhunon institucionet, dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal. Në fakt, me këto mjete, kjo parti ia ka dalë të fitojë një deputet në në Dibër, dhe është pikërisht, e njëjta dorë që trazon gjithëçka. Kjo është mënyra sesi kjo parti, di ti zgjidhë problemet e saj, pasi ajo nuk ka asnjë aset apo “vlerë” tjetër përveç dhunës, horrave, banditëve, njerëzve të korruptuar e inkriminuar që duan veç të zhvasin e grabisin. Eshtë e trishtë të mendosh se kjo ndodh në një vend në Europë, në vitin 2018”, shkruan kryebashkiaku Rama.

Kryebashkiaku e vijon statusin e tij duke përdorur fjalë si “llum, Shqipëria nuk është Wild West dhe Dibra nuk është El Paso”.

Në fakt siç ka mundur të mësojë Top Channel, konfliti nuk është i ri dhe Kryeministri Edi Rama ka thirrur mëse një herë kryetarin e bashkisë së Dibrës me drejtues lokalë të PDIU, për t’u përpjekur të sheshojë mosmarrëveshjet. Por mesa duket nuk ia ka dalë.

Top Channel i kërkoi prononcim për ngjarjen edhe Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, por nuk mori asnjë koment.

Pas tensioneve të paradites së sotme në Bashkinë e Dibrës, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Ernolt Cani, 34 vjeç, nga Peshkopia, me detyrë Zv/Kryetar i Bashkisë Dibër, për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës, me shumë se një herë, të kryer në bashkëpunim”.

Policia bën të ditur gjithashtu se u shpall në kërkim e po punohet për kapjen e shtetasit L.(B).B. Sipas policisë, arrestimi i Canit u bë pasi sot rreth orës 09:05, ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin L.(B). B, kanë goditur me sende të forta për shkak të detyrës në zyrën e tij shtetasit:

– D.M, 30 vjeç, me detyrë Drejtor i Burimeve Njerëzore në Bashkinë Dibër. Ky shtetas pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Peshkopisë ka dalë nga spitali;
– E.D, 33 vjeç, me detyrë inspektor INUV- në Bashkinë Dibër, pasi ka marrë ndihmën mjeksore në spitalin Peshkopi ka dalë nga spitali;
– H.D, 48 vjeç, me detyrë specialist Auditi, në Bashkinë Dibër, vijon trajtimin mjeksor në spitalin e Peshkopisë;
– L.D, 43 vjeç, me detyrë polic bashkiak në Dibër, ka marrë ndihmën mjeksore në spitalin e Peshkopisë dhe ka dalë nga spitali.

Top Channel