Pamja në rafinerinë e naftës në Ballsh është një dryn mbi portën kryesore, asnjë punëtor, asnjë personel i administratës. Po kush e ka në pronësi ARMO-n?
Me dokumenta, prej nëntorit 2016 rafineria e naftës në Ballsh është pronë e Bankës Credins, që e fitoi pas një ankandi përmbarimor. Sipas një raporti të Ministrisë së Drejtësisë, rafineria e Ballshit u nxor në shitje nga shoqëria përmbarimore TMA dhe mes shumë kreditorëve u fitua nga vetë banka.
Në vitin 2013 Credins i kishte dhënë ARMO-s një kredi prej rreth 2 miliardë lekë, ose rreth 15.4 milionë euro, me një interes vjetor prej 6 për qind, ku si garanci ishte vendosur pikërisht rafineria e Ballshit.
Burime nga Ministria e Energjisë thanë se mes Bankës Credins dhe shoqërisë IRTC ka pasur një kontratë blerjeje me rezervë për rafinerinë, e cila skadonte më 31 dhjetor të 2017-s.
Sipas kontratës, IRTC e merrte në përdorim rafinerinë në 2016-ën dhe për kalimin e pronësisë duhet të paguante një shumë parash të përafërt me vlerën që Credins e kishte blerë në ankand këtë aset. Pagesa nuk është bërë dhe pronësia e rafinerisë i mbetet Bankës Credins.
Top Channel kontaktoi me Bankën Credins, e cila nuk bëri asnjë koment mbi këtë çështje.
Ndërkohë vetë ARMO si kompani, ku 15 për qind është aksioner shteti dhe 85 për qind një kompani me origjinë azere, vazhdon të ekzistojë, por pa pronësinë e dy nga aseteve kryesore, rafinerinë e Ballshit dhe atë të Fierit, që janë marrë nga bankat kreditore dhe me një borxh gjigant, të cilin Ministria e Energjisë në shkurt të 2016-s e ka vlerësuar zyrtarisht në 595 milionë Dollarë. Këtu futen borxhet fiskale, huatë e bankave, detyrimet ndaj kompanive të tjera dhe pagat e punëtorëve.
Edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që përfaqëson aksionet shqiptare për këtë kompani nuk bëri asnjë koment mbi çështjen.
Top Channel