Arbitrat e rinj, certifikohen 54 meshkuj dhe 7 femra

31/01/2018 14:41

Pas rreth 5 muajsh studimi teorik dhe praktik, Akademia e Arbitrimit do të nxjerrë në fushën e lojës së futbollit, duke filluar nga kategoritë inferiore e amatore, grupin e parë të saj të përbërë nga 61 të rinj e të reja.

Ky brez i Akademisë profesionale të Arbitrimit përbëhet nga 54 meshkuj dhe 7 femra, të moshave nga 14 deri në 22 vjeç, të cilët kanë marrë certifikatat këtë të mërkurë nga drejtuesit më të lartë të Shoqatës së Arbitrave dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

“Jam shumë i sigurtë që do të kemi një nivel tjetër. Duke filluar ndryshe me një formë dhe me kritere shumë të sakta rekrutimi dhe edukimi, patjetër që do të kemi një nivel edhe më të mirë”, deklaroi presidenti në detyrë Duka.

Ajo që vihet re në këtë grup të ri është prania e një numri në rritje femrash të interesuara për sektorin e arbitrimit.

“Futbolli është një nga pasionet e mia. Që kur kam qenë e vogël, vendosa të ndjek rrugën e arbitrimit. Kemi parë në shumë kampionate të huaja, si në Gjermani apo në Champions, që ka shumë arbitre femra”, tha Ledia Ballo, arbitre e certifikuar.

“Unë kam studiuar për Inxhinieri Informatike në Torino të Italisë. Në qoftë se arbitri ka mënyra të tjera mbijetese, apo punë në një ambient tjetër nga arbitrimi, atëherë do të jemi të sigurtë se do të kemi arbitra shumë herë më të mirë dhe të palëkundur në vendimet e tyre”, shprehet Egel Xhaferraj, arbitër i certifikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA