Shtrirja e ndikimit të Kinës ka shkaktuar shqetësime serioze në Uashington, por ndikimi i saj duket është edhe më i madh nga sa mendohej e ka arritur të prekë edhe vet Selinë e Shenjtë.
Vatikani u detyrua të mbrohej ndaj pretendimeve të kardinalit të lartë nga Hong Kongu, Joseph Zen, që e akuzon se po shitet te Pekini.
“Kisha Katolike, – thotë Zen, – është duke i detyruar peshkopët e saj të tërhiqen për të favorizuar të përzgjedhurit e qeverisë kineze”.
Pa e përmendur kardinalin në emër, Vatikani u përpoq t’i hedhë poshtë kritikat ndaj politikës së tij kundrejt Kinës, duke theksuar se ato “ushqejnë pështjellimin dhe polemikat”.
Joseph Zen shkroi në profilin e tij në Facebook se, një delegacion i Vatikanit i ka kërkuar një peshkopi të heqë dorë nga posti, me qëllimin t’i hapej vendi personit që do ta zëvendësonte, i cili gëzonte mbështetjen e Pekinit.
Ai sqaronte se, në fillim të muajit kishte udhëtuar vet drejt Romës dhe e kishte ngritur personalisht këtë shqetësim në një takim me Papa Françeskun.
Në përgjigjen e Selisë së Shenjtë thuhet se, Ati i Shenjtë është në kontakte të vazhdueshme me bashkëpunëtorët e tij për çështjen kineze, ndaj dhe e konsideron befasuese e për të ardhur keq që persona brenda kishës pretendojnë të kundërtën.
Kina i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Vatikanin në vitin 1951, por raporte të kohëve të fundit tregojnë se të dy ata janë sot shumë pranë një ujdie historike mbi përzgjedhjen e peshkopëve për gati 10 milionë katolikët e vendit komunist. Në Kinë ka aktualisht rreth 100 peshkopë të këtij besimi.
Top Channel