Veliaj: Pemët, më shumë oksigjen për fëmijët

30/01/2018 11:35

Fëmijët e shkollave të Tiranës janë aleatët më të mirë të nismës “Dhuro një pemë”, e cila do të kulmojë në 21 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve. Rreth 100 nxënës të shkollave “Montessori” dhe “Protagonistët” iu bashkuan dje punonjësve të Bashkisë së Tiranës, për të mbjellë fidanë të rinj ulliri e mimoza në kodrat e Parkut të Liqenit Artificial. I ftuari special për fëmijët ishte edhe aktori i njohur i humorit, Ermal Mamaqi.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi fantastik pjesëmarrjen e vajzave dhe të djemve të vegjël të qytetit dhe një inkurajim që kjo nismë të ecë edhe më tej. “Jemi shumë afër rekordit tonë prej 100 mijë pemësh, por rekordet nuk thyhen vetë, por nga rekordmenët. Ndaj më vjen mirë që rekordmeni ynë i mbjelljeve, Ermal Mamaqi, ka mbjellë me një lopatë 5 pemë njëkohësisht. Përtej humorit, është inkurajim fantastik kur shoh djem e vajza të vegjël që janë përfshirë në këtë fushatë mbjelljesh. Do të thotë se po krijohet një lidhje me qytetin”, tha Veliaj.

“T’i bashkohesh kësaj nisme me sportivitetin e Ermalit dhe figurave publike që po na japin një dorë, si ish-Presidenti Moisiu dhe fëmijët e vegjël, besoj se japim një mesazh që në këtë qytet rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë. Sepse ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se sa cic-micet që na ndajnë. Po të fokusohemi te puna, gjëra më të bukura do të vijnë për Tiranën”, shtoi ai.

Për aktorin e njohur Ermal Mamaqi, mbjellja e pemëve është shpresëdhënëse për Tiranën, ndërsa falenderoi kryebashkiakun Veliaj për këtë nismë. “Ishte një ditë shumë e veçantë dhe e falenderoj Erionin që më ftoi të ndihem si të gjithë këta mbjellësit. Është një nismë shumë shpresëdhënëse për Tiranën, madje mezi po pres që edhe djali im të mbjellë pemën e tij. Por, dua t’i kërkoj kryetarit, që të gjitha pemët e ullirit, ato 5 që mbolla unë, pra me lopatën time, të vij t’i marr vetë kokrrat për 5 vjet”, tha me humor Mamaqi.

Duke falenderuar prindërit e fëmijëve që u bënë pjesë e fushatës, Veliaj shtoi se çdo pemë që mbillet në shkollë është edhe një burim oksigjeni për të vegjlit. “U jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre prindërve e fëmijëve që janë bërë pjesë e kësaj fushate. Për të gjitha shkollat e përfshira, dua t’u them edhe atyre prindërve që janë kritikë, në fakt janë pemë që mbillen tek shkolla e tyre, është oksigjen për fëmijën e tyre, jo për Bashkinë, jo për Lalin, jo për Ermalin. Pra, çdo pemë që mbillet në shkollë është në fakt një burim oksigjeni për fëmijët që shkojnë në atë shkollë. Me këtë zell, dashuri e pasion për Tiranën, do vazhdojmë të bëjmë punë akoma më të mira”, tha ai.

Në këtë vit jubilar, kryebashkiaku theksoi se nisma e Bashkisë së Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet me pemë të reja, është edhe një mënyrë për të afruar të vegjlit e qytetit me natyrën, por edhe për të përkujtuar dhe vlerësuar figura të rëndësishme të kombit.

“Më vjen mirë që në Vitin e Skënderbeut shtojmë sasinë e ullinjve në Tiranë, e cila ka qenë pema tradicionale që mbillej në kohën e tij. Është një mënyrë modeste se si fëmijëve, përmes mbjelljes, u mësojmë edhe pak histori, se çka ndodhur në vendin tonë dhe kush janë figurat tona kombëtare dhe çfarë pasioni kanë pasur për atdheun, jo vetëm për luftë, por edhe për paqe, për natyrën dhe gjelbërimin. Më vjen mirë që shtojmë një kodër të re, ku kemi bërë një shteg i cili i krijon akses te një pjesë e liqenit, që njerëzit as nuk e kishin parë që ekzistonte. Kjo lidhje e fëmijëve me natyrën dhe ky pasion për të mbjellë pemë dhe ndryshuar faqen Tiranës, besoj do të mbahet mend gjatë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA