Paralajmërimi i shefit të CIA-s: Rrezik nga Kina dhe Rusia

30/01/2018 08:27

Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo iu rikthye paralajmërimeve mbi rrezikun e ndërhyrjeve ruse, duke deklaruar hapur se pret që Moska të shënjestrojë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.

Por, po kaq e shqetësojnë zyrtarin e fuqishëm amerikan edhe përpjekjet kineze për të ushtruar një ndikim të fshehtë mbi Perëndimin.

“Mendoni pak për shkallën e këtyre dy ekonomive. Kinezët, – i tha ai BBC-së, – kanë mundësi shumë më të mëdha sesa rusët për të kryer aktivitete të tilla të fshehta”.

Dyshimet e kreut të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nuk tingëllojnë të pagjasa, sidomos pas arrestimit pak kohë më parë të një ish-oficeri të CIA-s, me akuzën se kishte mbajtur në mënyrë të paligjshme informacione të klasifikuara, në një rast që mendohet të ketë lidhje me goditjen e operacioneve të agjencisë në shtetin komunist.

Ndërhyrja ruse ka qenë fokusi i debatit politik në Uashington, me akuza “hacker”-imi, nxjerrje të informacioneve të ndjeshme, si dhe përdorimin e medieve sociale për të mbjellë përçarje.

Por pretendimet e Pompeos për CIA-n i japin një tjetër drejtim situatës, duke bërë që analistët ta shohin si një spostim të vëmendjes nën pretendimin se Kina ka një aftësi shumë më të gjerë për të ushtruar ndikim, e për këtë arsye edhe duhet bërë më shumë të ndaluar ndikimin e saj.

Kjo përfshin edhe përdorimin e peshës ekonomike të Pekinit, me qëllimin të ndikojë te kompanitë amerikane që kërkojnë qasje në tregun e brendshëm kinez.

Top Channel