Pakti grek për emrin e Maqedonisë, Kotzias: Brenda shkurtit

30/01/2018 10:40

Vetëm disa orë para mbërritjes në Athinë të negociatorit të OKB-së, Matthew Nemetz, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka deklaruar në televizionin publik “ERT” se, qeveria greke është duke përgatitur një pakt të përgjithshëm, që brenda muajit shkurt do t’ia propozojë Shkupit zyrtar për sa i përket të gjithë kontekstit të çështjes së emrit.

“Në këtë pakt do të përfshihen të gjitha çështjet që janë të hapura në lidhje me emrin, një kapitull i veçantë për irredentizmin dhe Kushtetutën, por edhe çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e këtij vendi”, tha Nikos Kotzias, kryediplomat i Greqisë.

Nëse këtë projekt do ta pranojë edhe Qeveria “Zaev”, atëherë ky pakt do të shkojë për miratim në Parlamentin grek.

Kotzias ka thënë gjithashtu se një zgjidhje e mirë do të ishte që emri i ri i fqinjit verior të Greqisë, për të cilin do të bihet dakord, të jetë një emër i përbërë në gjuhën sllave i papërkthyeshëm. Sipas ministrit të Jashtëm grek, edhe Nemetz, nga 5 emrat që ka propozuar, 4 janë në gjuhën sllave.

I pyetur për ministrin e Mbrojtjes dhe kreun e partisë aleate në qeveri, Panos Kammenos, i cili më herët ka këmbëngulur që termi “Maqedoni” të mos jetë pjesë e emrit të ri, por duke theksuar se nuk do të rrëzonte kurrë qeverinë me votëbesim në Parlament, Kotzias ka thënë se është e pranueshme që brenda qeverisë të ketë pozicionime të ndryshme për një çështje, e kjo është shprehje e demokracisë.

Top Channel