Pakti detar me Greqinë, reagojnë çamët dhe LSI. Rama: Prisnin të shkruhet

30/01/2018 19:38

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, së bashku me Shoqatën Çamëria i bënë thirrje publike Kryeministrit dhe Ministrisë së Jashtme që të informojnë shqiptarët dhe në veçanti çamët, për ecurinë e bisedimeve me Greqinë.

Deklarata e përbashkët, shpërndarë përmes mediave sociale, nënvizon se çështja çame jo vetëm ekziston, por askush nuk mund ta përdorë atë për të bërë pazar.Reagimi përfundon me urimin që ky të jetë viti i Skëndërbeut dhe jo i Hamzait.

Nga opozita, Petrit Vasili, që drejton grupin parlamentar të LSI-së, reagoi për kufirin detar me Greqinë. Ai i kërkoi Kryeministrit Rama që të largohet, duke e akuzuar se gënjeu edhe me çështjen çame. Kryeministri u çorr për kufirin detar me Greqinë, thotë Vasili, ndërsa sot – shton ai – të gjithë mësuam se ujërat greke do të zgjerohen me 12 milje.

Kryetarja e LSI-së flet më troç dhe akuzon kreun e Qeverisë se po fal detin për pak mëshirë nga Greqia.

Po nga Facebook-u u përgjigj Edi Rama, duke folur për patriotë me çizme dhe çamëristë të sapongjizur. Kritikët, Kryeministri i quan të mjerë që meritojnë veç mëshirë. Kërkon durim sa marrëveshjet të hidhen e zeza mbi të bardhë dhe garanton se çështjet mes dy vendeve do të mbyllen në interes të Shqipërisë.

Ministria e Jashtme i quajti reagimet si të pabazuara. Përmes një deklarate zyrtare, ajo thekson se delimitimi i hapësirës detare është në interes të të dy vendeve dhe se që prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh për të gjetur një zgjidhje. Në këto diskutime, nënvizon Ministria e Jashtme, qëndrimi i palëkundur i palës shqiptare ka qenë dhe mbetet lidhja e një marrëveshjeje bazuar në parimet e Konventës për Detin, praktikën ndërkombëtare, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë Kreu i diplomacisë shqiptare mban si foto kryesore në Facebook një pamje të gjirit të Kakomesë, ku rrufeja ka rënë pikërisht në atë pjese të detit për kufirin e të cilit debatohet. Fotoja është publikuar më 31 Tetor, pak ditë përpara se Ministri i Jashtëm Bushati të takonte homologun e tij grek Kotzias në Kretë.

Top Channel