Në marrëveshjen e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese për delimitimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ekspertët patën kundërshtuar disa momente të rëndësishme, ku Shqipëria sipas përllogaritjeve të tyre humbiste territor 335 kilometra katrorë.
Kjo sepse ishulli Othonoi ishte skaji i territoreve tokësore greke nga ku janë përllogaritur dhe koordinatat e kufirit zyrtar. Nëse palët do të mbështeteshin në parimin e paanësisë ishullit të banuar Othonoi mund t’i jepej një det territorial vetëm me 12 milje detare dhe pjesa tjetër do t’i takonte brigjeve të Karaburunit përballë.
Në kundërshtim me Konventën e Detit u konsiderua dhe prirja e Greqisë për t’u futur në ngushticën e Otrantos, pasi asnjë shtet i tretë nuk ka të drejtë të vendosë vija të drejta bazore, për të ndërprerë detin shtetëror, hapësirën e afërt vijimore dhe hapësirën ekskluzive ekonomike të shtetit tjetër. Pabarazia në matje u konstatua pikërisht në mes të kanalit të ngushtë të Korfuzit, ku largësia është shumë e vogël dhe janë përdorur dhe shkëmbinjtë nënujor si pika referuese.
Shkëmbi Barketa është konsiderauar si pikë skajore duke afruar kufirin pranë bregdetit shqiptar. Kjo bëri që me marrëveshjen e 2009-ës Shqipëria në kanalin e Korfuzit, mos të merrte gjysmën e kanalit; në disa pjesë vetëm çerekun e tij.
Kjo pasi si pika referuese u përfshinë dhe shkëmbinj që herë dalin mbi ujë dhe herë zhdukën, të cilët u barazuan me ishujt e mëdhenj. Ekspertët patën kontestuar si përllogaritej në cenim të territorit shqiptar edhe atë në gjirin e Sarandës, pasi matja ka nisur ka nisur nga muri historik i qytetit dhe jo nga vija ujore që do bashkonte kepin e Qefalit me Kepin e Mërtesës, ku duhej përcaktuar vija e mesme e baraslarguar.
Humbja e përllogaritur në këtë pikë është 15 km katror. Nga pikëpamja procedurale ky pakt i lidhur në 2009-ën dhe rrëzuar në 2010-ën nga Gjykata Kushtetuese nisi, pa marrë plotfuqinë për negociim tek presidenti i Republikës.
Top Channel