Misioni i Mattis: Të ndalë Trumpin të hyjë në luftë

30/01/2018 15:31

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis e fillon vitin e tij të dytë në detyrë, në administratën “Trump”, ndoshta me një detyrë të vetme, thelbësore: të ndalojë presidentin Donald Trump të hyjë në luftë me Korenë e Veriut.

Bashkë me gjeneralin Joseph Dunford, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Mattis do të kalojë disa ditë të vështira. Të dy ata duhet të sigurojnë presidentin se ka opsione ushtarake të besueshme për të ndaluar Korenë e Veriut, nëse shkohet në luftë dhe ajo mund të hedhë ndonjë raketë mbi Shtetet e Bashkuara apo ndonjë vend aleat, e në të njëjtën kohë të vazhdojnë të bëjnë të qartë se çfarë katastrofe do të sillte lufta.

Sesi ata do ta përshkojnë këtë fushë të minuar në vitin e dytë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, kjo mbetet për t’u parë, por sigurisht ata do të jenë jashtë zonës së mbrojtur, në të cilën operuan gjatë vitit të parë të administratës, kur qëndruan kryesisht larg syve të publikut.

Situata po bëhet gjithnjë e më kritike, me disa qarqe në administratë të shqetësuara për fuqizimin e Kim Jong-un. Për këtë flet edhe një deklaratë e fundit e drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, sipas të cilit Koreja e Veriut është më shumë se kurrë në gjendje të rrezikojë Amerikën.

CIA ka dalë në përfundimin se Koreja e Veriut mund të jetë vetëm disa muaj larg arritjes së kapacitetit të plotë për të vendosur një kokë bërthamore në një raketë që mund të godasë Shtetet e Bashkuara. Në dhjetor, këshilltari për Sigurinë Kombëtare, HR McMaster kishte thënë se mundësia e një lufte me Korenë e Veriut po rritet çdo ditë.

Askush nuk thotë që Koreja e Veriut është gati të qëllojë. Por, nëse Kim Jong-un i tregon botës se ai mund ta bëjë këtë, çfarë do të bënte Amerika?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA