Qeveria paraqiti në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë projektligjin që i jep të drejtë qeverisë të negociojë kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Siç ka raportuar Top Channel më herët, Qeveria ofrohet garante për fitimin e kompanisë dhe ky ishte një moment që Partia Demokratike e kundërshtoi.

“A e dini që sipas rregullores së Bashkimit Europian jeni duke thyer rregullat?! Më konkretisht komunitetit për ndihmën shtetërore për aeroportet, sepse çdo ndihmë financiare që vjen nga buxheti i shtetit për një aeroport, i cili është në një distancë më të vogël se 100 kilometra, siç është ky i Vlorës, është në thyrje të kësaj direktive të BE-së”, deklaroi deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Ministrat e Transporteve dhe të Financave shpjeguan pse u zgjodh Vlora, por pa dhënë detaje, për të cilët thanë se janë konfidencialë në këtë fazë të negociatave.

“Fizibiliteti është i tërë dhe përfshin analizën e tregut, modelin financiar etj. Unë nuk e di që hiqet një copë ta jap ty, dhe vete mbaj pjesën tjetër. Nuk shkon apo jo?! Kur ta kesh do ta kesh të plotë”, iu përgjigj kërkesës së Jorida Tabakut për të parë studimin e fizibilitetit, ministri Damian Gjiknuri.

“Vlora kishte një potencial të padiskutueshëm për një aeroport, midis 80 km dhe 100 km. Madje është diskutuar specifikisht dhe është përfshirë specifikisht në heqjen e ekzkluzivitetit që ne i kemi bërë atëherë Aeroportit të Rinasit”, deklaroi ministri Arben Ahmetaj.

Pas shumë debatesh, deputeti demokrat i Vlorës Agron Shehaj bashkoi votën me socialistët.

Aeroporti pritet të ndërtohet në fushën e ish-Aerodromit Ushtarak të Akërnisë, një territor prej 4.5 km gjatësi, me gjerësi 1.5 km.

Banesa më e afërt me këtë hapësirë është më pak se një fushë futbolli. Banorët përreth e konsiderojnë aeroportin një mundësi të mirë për zhvillimin e zonës dhe shpresojnë që tani çmimi i tokave të tyre të rritet.

“Mbasë shikojmë një dritë jeshile për Akërninë. Mendoj se çdogjë do të sistemohet. Nëse do të vijnë turistë e vizitorë, ky fshat do t’i presë i parë”, thonë banorët.

Përballë kësaj perspektive ekonomike, banorët nuk mendojnë shumë për zhurmën e avionëve.

“Të shqetëson më shumë papunësia sesa zhurma. Do të ketë anën negative, si ndotja akustike. Por shpresoj që Qeveria do ta marrë parasysh këtë”, deklarojnë banorët e Akërnisë.

Pista ku do të ndërtohet ky aeroport është përdorur që nga viti 1957 deri në vitet 90 nga ushtria. Kursantët e shkollës së aviacionit stërviteshin në këtë pistë me avionët MIG.

Sipas ministrit Gjiknuri aeroporti i ri që do të ndërtohet këtu do të jetë më i madh se ai i Rinasit, që ka një gjatësi piste prej rreth 2.8 km dhe gjatë vitit të shkuar trajtoi mbi 2.6 milionë pasagjerë.

Top Channel