Niveli i Senës në Paris ka mbërritur në 5.84 metra, apo 4 metra më shumë sesa normalja e saj në këtë periudhë të vitit.
Javë të tëra reshjesh shiu kanë sjellë fryrjen e skajshme të lumit që ndan në dy pjesë kryeqytetin francez, duke detyruar evakuimin e 1.500 personave në Ile de France, e duke lënë po kaq banesa pa energji elektrike.
Në vitin 2016 pati një tjetër situatë kritike nga përmbytjet në Paris, e niveli i Senës atëherë mbërriti në 6.1 metra. Shtatë stacione të linjës kryesore të transportit publik “RER C” do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri më 5 shkurt, e po kështu është pezulluar edhe lëvizja e varkave të famshme të turistëve “Bateaux Mouches”. Lëvizja në lume aktualisht u lejohet vetëm shërbimeve të emergjencës.
Disa zona të periferisë janë praktikisht nën ujë dhe një pjesë e banorëve janë detyruar të lënë makinat e të përdorin varkat. Mjaft shkolla janë mbyllur. Megjithatë, ka edhe njerëz si Serge Matikhine, që i tha agjencisë së lajmeve “AFP” se njerëzit nuk i ka pushtuar dëshpërimi.
“Jemi mësuar tashmë, – citohet të ketë thënë ai. – U bënë 20 vite që shohim gjëra të tilla. Kjo është përmbytja e 8 apo e 9 që përjetojmë”.
Niveli i ujit pritet të mbetet i lartë përgjatë të gjithë javës, pasi reshjet do të vazhdojnë, duke përkeqësuar kështu gjendjen e tokës, edhe kështu tejet të ngarkuar. Gjatë përmbytjeve historike të vitit 1910, Parisi u mbulua nga uji për rreth dy muaj.
Top Channel