Rusia akuzon SHBA-të: Po ndërhyn në zgjedhjet tona

29/01/2018 23:27

Një raport i pritshëm i Shteteve të Bashkuara, që mund të sanksionojë oligarkë të lidhur me Kremlinin, është një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale ruse të marsit.

Kjo është akuza që Moska i drejton Washingtonit. Raporti i Thesarit Amerikan pritet të detajojë afërsinë e figurave politike ruse dhe oligarkëve me presidentin Vladimir Putin, që rikandidon në zgjedhje.

Zyrtarët amerikanë e akuzojnë Rusinë për përzierje në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, dhe tani, Moska i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë. Sipas zëdhënësit të presidentit Vladimir Putin, raporti i pritshëm do të analizohet në detaje.

“Raporti amerikan është një përpjekje direkte dhe e dukshme për të ndikuar në zgjedhjet e 18 marsit. Sidoqoftë, ai nuk do të arrijë të ndikojë tek vota”, u shpreh Dimitry Peskov.

Kremlini ka premtuar se do të bëjë gjithçka që mundet për të kufizuar dëmtimin e mëtejshëm të oligarkëve rusë dhe bizneseve që mund të jenë në listë. Vitin e shkuar madje Putin u takua me biznesmenët kryesorë rusë, me dyer të mbyllura, për të diskutuar çështjen. Javën e shkuar, shefi i bankës ruse VTB, Andrei Kostin, i tha Financial Times se nëse SHBA do të vendoste më shumë sanksione kundër Rusisë, kjo do të ishte një deklaratë lufte.

Departamenti amerikan i thesarit do të finalizojë dokumentin të hënën e pas kësaj ai do t’ia dorëzojë kongresit. Nuk është e qartë nëse emrat e personave që ndodhen në listë do të bëhen publikë apo do të mbahen sekret dhe as se sa persona apo entitete janë të përfshirë.

Top Channel