Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos ka kërkuar mbështetjen e homologut të tij izraelit, Reuven Revlin, në vizitën dyditore të këtij të fundit në Greqi, për sa u përket marrëdhënieve të Athinës me Ankaranë, Shkupin dhe Tiranën.
Sa i përket Shqipërisë, Pavlopoulos ka ripërsëritur kërkesat e tij për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave njerëzore, përfshi këtu edhe minoritetin grek.
“Mbështesim perspektivën europiane të Shqipërisë mike. Megjithatë, kjo perspektivë varet nga respektimi i plotë i së Drejtës Ndërkombëtare dhe asaj Europiane, në veçanti nga respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe sidomos nga të drejtat e pakicave dhe e drejta për pronën”, tha Prokopis Pavlopoulos, president i Greqisë.
Ndërkohë, sa i përket emrit të fqinjit verior të Greqisë, ai ka theksuar se, sa të ekzistojnë shembuj të irredentizmit te politikanët në Shkup do të jetë e pamundur që ky shtet të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.
“Mbështesim perspektivën europiane të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Megjithatë, kjo perspektivë varet plotësisht nga përdorimi nga ana e këtij shteti të një emri që nuk përcjell irredentizmin dhe që nuk mohon, në asnjë mënyrë, ‘status quo’-në e kufijve aktualë. Prandaj, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë duhet të fshijë së pari, për sa i përket çështjes së emrit, të gjithë shembujt e irredentizmit dhe të sjellë reformat pasuese të nevojshme në sistemin ligjor, në mënyrë që të sigurojë një zgjidhje për këtë çështje, e në këtë mënyrë edhe perspektivën e saj për integrim në NATO dhe BE”, tha Prokopis Pavlopoulos, president i Greqisë.
Në lidhje me Turqinë, pavarësisht mbështjetjes që i jep Athina perspektives së saj europiane, Pavlopoulos ka kërkuar që Ankaraja të respektojë plotësisht të Drejtën Ndërkombëtare, Europiane dhe atë të Detit, si dhe Traktatin e Lozanës për kufijtë.
Presidenti izraelit do të vizitojë të martën Selanikun, ku do të marrë pjesë në përurimin e Muzeut të Holokaustit në këtë qytet, bashkë me kryeministrin Tsipras.
Top Channel