Roja bregdetare turke ka ndaluar ministrin grek të Mbrojtjes t’i afrohet disa ishujve të kontestuar në detin Egje.

Sipas Ministrisë së Brendshme turke, rojat bregdetare paralajmëruan ministrin Panos Kammenos, që i ishte drejtuar ishujve Kardak, apo Imia, në bordin e një motovedete, për të vendosur një kurorë me lule në memorialin kushtuar tre ushtarëve grekë që humbën jetën gjatë krizës së ishujve në vitin 1996. Pas paralajmërimit, barka në të cilën ndodhej ministri grek, doli nga ujërat territorialë turk, pa incidente të mëtejshme, shtoi ministria. Ministri i brendshëm turk, Suleyman Soylu tha ndërkohë se rojat bregdetare kishin bërë atë që ishte e nevojshme.

Ishujt, që Turqia i njeh me emrin Kardak, ndërsa Greqia Imia, janë disa shkëmbinj të pabanuar në detin Egje, të pozicionuar mes ishullit grek Dodecanese dhe brigjeve të Turqisë jugperëndimore.

Një mosmarrëveshje që zgjat prej dekadash mes Turqisë dhe Greqisë, mbi ishujt e pabanuar në Egje, i vendosi të dy vendet në prag të një konflikti të armatosur në 1996 kur Ankaraja dhe Athina dërguan forcat detare në dy ishuj fqinj si shenjë e një konfrontimi të pritshëm.

Më pas, të dyja vendet i tërhoqën trupat pas presionit diplomatik të shteteve të bashkuara.

Top Channel