Rikthehen kreditë e buta, Veliaj: Ndihmojmë familjet e reja dhe ato në nevojë për strehim

28/01/2018 17:07

Bashkia e Tiranës do të rihapë në muajin shkurt kreditë e buta për familjet e reja dhe ato në nevojë që duan të blejnë një shtëpi dhe nuk mund të përballojnë çmimet e tregut.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka drekuar këtë të diel në një familje, të cilët sapo kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re pasi përfituan në shtator nga programi i bashkisë për kreditë e buta.

“Nuk besonim se do të kishte këtë impakt. Dhe gjithnjë pyes veten, këto vendime që marrim ne a ia ndryshojnë jetën e një njeriu, a kanë ndonjë impakt. Prandaj doja shumë që të vinim të vizitonim një familje që kishte qenë pjesë e projektit. Më vjen mirë po punon më mirë shteti se sa privati. Privati mund të marrë më shumë kohë më shumë burokraci, ndërkohë që ne kemi ecur më shpejt”, deklaroi Erion Veliaj.

Një vit më parë 1000 familje që aplikuan pranë bashkisë së Tiranës dhe plotësuan kriteret përfituan kredi të buta. Ky program do të rinisë në shkurt për të gjitha ato familje që nuk arritën të kapnin afatet për të plotësuar dokumentacionin në kohë dhe të tjera që janë të interesuara.

Top Channel