Ministri i Diasporës, Pandeli Majko në një takim me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Selanik dhe në Greqinë e Veriut të organizuar nga Konsullja e Përgjithshme në këtë qytet, Pavlina Ylli, ka theksuar se përpjekjet kryesore të qeverisë përsa i përket emigranteve janë fokusuar në sigurimin e së drejtës së votës së tyre nga vendet ku ata jetojnë.
Majko ka parashtruar përpjekjet e 120 ditëve të para të qeverisë për krijimin e një profili të një politike shtetërore që ka si bazë marrëdhënien e institucionalizuar midis Këshillit Koordinativ të Diasporës dhe shtetit shqiptar.
Duke vënë në dukje se brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve nuk po flasin mirë dhe aq sa duhet gjuhën shqipe, ai i ka vënë theksin cilësisë së mësimdhënies së gjuhës.
Gjithashtu ka premtuar se me një koordinim me Ministrinë e Kulturës duhen shtuar aktivitetet e ndryshme kulturore në vendet ku jetojnë shqiptaret.
Për më shumë se dy orë kreu i ministrisë më të re shqiptare ka nxitur emigrantët të jenë më aktive në përfaqësimin e tyre institucional në shtetin grek, ndërsa ka dëgjuar me interes edhe propozimet e përfaqësuesve të bizneseve shqiptare duke përkrahur idenë e hapjes në Selanik të një Dhome tregtie shqiptaro-greke.
Top Channel