Në Tiranë gjyqtarët paraprakë, ata që vendosin nëse hetimet e prokurorëve për çështje të caktuara përfundojnë apo jo në gjyq, janë vetëm 12. Fluksi i dosjeve me të cilin përballen në përditshmërinë e tyre është gati i papërballueshëm. Gazmend Janku takoi njërin prej tyre, që është edhe Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve.
Në Gjykatën e Tiranës ka 12 gjyqtarë që janë caktuar për seancat paraprake. Sipas ndryshimeve ligjore, janë këta gjyqtarë që vendosin nëse hetimet e prokurorëve për çështje e caktuara përfundojnë apo jo në gjyq.
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi. Prokurorët nga njëra anë i druhen ndërhyrjeve në punën e tyre. Kurse gjyqtarët paraprakë përballen që prej shtatorit të vitit të kaluar me fluks në kufijtë e të papërballueshmes.
Vetëm në tre muaj, 12 gjyqtarët e seancave paraprake në Tiranë kanë dhënë mbi 2700 vendime, ose mbi 220 vendime për çdo gjyqtar. Erjon Bani është një gjyqtar paraprak. Për më tepër, ai drejton Shoqatën e Gjyqtarëve. Sipas tij, ngarkesa e papërballueshme mund të rrezikojë cilësinë e vendimeve.
“Ne e kemi si standard 100 vendime në vit, dhe nëse gjyqtari i seancës paraprake jep 100 vendime në muaj kjo është e papërballueshme pasi ndikon në cilësinë dhe argumentimin e vendimit,” shprehet Erjon Bani, kryetar i shoqatës së gjyqtarëve.
Përballë kësaj situate dhe faktit që numri i dosjeve pritet të rritet në muajt në vazhdim, gjyqtari Bani e sheh zgjidhjen te Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“I bëj thirrje të gjithë aktorëve që mund të ndikojnë si dhe parlamentit që të shpejtojnë procedurat për ngritjen e KLGJ-së, e cila më pas të bëjë vlerësimin dhe të vendosë rritjen e numrit të gjyqtarëve të seancës paraprake,” thotë ai.
Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor ka ngecur mes procedurash parlamentare dhe procesit të Vetting-ut.
Top Channel