Ita Bartuv rikthehet në vendlindje: Shkodrën e mbaj mend si nëpër ëndrra

27/01/2018 17:41

Ajo ka lindur në Shkodër në vitin 1943 dhe është quajtur Drita Faraxhi, emër që i është dhënë gjatë kohës kur është strehuar bashkë me të ëmën në Shqipëri për t’i shpëtuar Holokaustit.

Ita Bartuv, vajza e Mimi Kamhi Ergas Faraxhi, u rikthye në vendlinjen e saj për promovimin e kujtimeve të hedhura në një libër të së ëmës.

Në Shkodër, ajo u takua me Ahmet Shurdhën, përfaqësues i familjes pritëse në Shkodër.

Në fjalën e saj, Drita Kamhi Ergas Faraxhi nuk i fshehu dot emocionet ndërsa pa Shkodrën, të cilën tha se “e mbante mend si nëpër endrra dhe ishte e lumtur që e gjeti kështu”.

“Nëna gjatë gjithë kohës më ka përsëritur se ajo ka lindur dhe ka arritur të mbijetojë me familjen falë besës shqiptare”, thotë Ita.

Ajo kujton se e ëma i ka treguar vuajtjet e kalvarit nga Shkupi, përmes Kosovës për të mbërritur në Shkodër, ku janë pajisur me dokumentat shqiptare.

“Besa dhe fuqia e papërshkrueshme mbrojtëse e kësaj fjale. Copëzat e rrëfimeve të prindërve se si shpëtuan familja ime duke më mbajtur mua në krah si foshnje, duke lëvizur nga oborri i një shtëpie në oborrin e shtëpisë tjetër, përmes një dere të vogël që lidh oborret dhe fjalës që thuhej gjatë rrugëtimit: ‘këta i kam marrë dhe po t’i dorëzoj në besë’”, rikujton ajo rrëfimet e së ëmës.

Top Channel