Tirana Smart City, Veliaj: Shumë shpejt 4 mijë biçikleta të reja

26/01/2018 12:19

Ka përfunduar korsia për biçikleta në Bulevardin “Zogu I”, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj bëri të ditur se shumë shpejt do të vijnë 4 mijë biçkleta të reja në Tiranë. Kjo korsi është e para e projektit prej 10 km.

“Më në fund shohim dallëndyshen e parë të projektit prej 10 km korsi. Ky është segmenti i parë, më shumë sesa 1 km, në të gjithë gjatësinë e Bulevardit ‘Zogu I’, një rrugë ekskluzive, ndoshta rruga më romantike për biçikletat, e rrethuar nga pemë, e mbrojtur nga makinat, si kurrë më parë në Tiranë. Sigurisht, korsia do të lidhet më pas edhe me Bulevardin e Ri, ndërsa nga ana tjetër, kemi sheshin “Skënderbej”, një hapësirë të madhe pedonale për biçikletat. Mandej, do të vijojmë me korsitë e Unazës së Vogël, për të vijuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku siç e keni parë, jemi duke vendosur trafikndarëset e kuqe, për një korsi ekskluzive biçikletash”, u shpreh entuziast Veliaj.

Ai shtoi se synimi është që brenda një kohe të shkurtër, Tirana të ketë një rrjet minimal korsish të mbrojtura për biçikletat, çka natyrisht do të nxisë edhe më shumë përdorimin e tyre në kryeqytet.

“Duam që brenda pranverës të kemi 10 km rrjet minimal korsi biçikletash, pra një rrjet të lidhur nga fillimi deri në fund për pjesën qendrore të Tiranës. Me ardhjen e 4 mijë biçikletave të reja në Tiranë, prej projektit që kemi me Bashkinë e Firences, qytetarët do mund ta përdorin atë më lirë se sa një biletë autobusi”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se qytetarët duhet të respektojnë sinjalistikën për korsitë e dedikuara. Ai tha se për këtë do të angazhohen disa vullnetarë. “Vullnetarët tanë do të tregohen të vëmendshëm për t’i orientuar qytetarët, por do të jemi të rreptë me shoferët, sidomos me ata që nuk respektojnë kthesën e biçikletës, që nuk i japin prioritet çiklistëve teksa dalin nga korsia për të kaluar kryqëzimin. Na duhet një sforco nga të gjithë, të tregojmë mirësi dhe dashamirësi për të respektuar një qytet me një milion banorë”, theksoi Veliaj.

 

Top Channel