Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka premtuar se qeveria do të mbështesë 50% të vlerës së fidanëve.

Ai ka vizituar një një nga pikat më të mëdha të grumbullimit dhe eksportit të gështenjave në Lezhë.

Në fjalën e tij Peleshi u përqendrua kryesisht në nevojën e orientimit të fermerit drejt kulturave të reja, mundësisht drejt 15 kulturave të përzgjedhura si potenciale shumë të fuqishme për eksportin shqiptar.

“Duke i bërë bashkë grumbulluesin dhe fermerin dhe pas tyre, shtetin me subvencionet, me skemën e subvencioneve, që do të fillojmë këtë vit, me IPARD-in që fillon nga mesi i vitit, duke mbështetur 50 % të vlerës të fidanëve për grumbulluesin, duke mbështetur si në rastin e shalqirit psh, 3 milionë lekë të vjetra për hectare, mbjelljet e reja. Shumë fermerë nuk e bëjnë dot atë kalimin, kapërcimin, hapin e madh drejt kulturave moderne, që do të thotë, kultura që i kërkon sot tregu dhe që japin shumë të ardhura, shumë herë më tepër të ardhura për fermerin. E para, sepse nuk kanë njohuritë e nevojshme, shërbimi i këshillimit pothuajse ka qenë inekzistent. Nuk kanë atë kapitalin e parë fillestar për të investuar, për të blerë farën, fidanin dhe janë të trembur, si me thënë, para riskut, që e reja gjithmonë ka. Formula, që ne jemi duke gjetur për të dalë nga ky ngërç, është bujqësia me kontratë. Pra, ta afrojmë grumbulluesin me fermerin së bashku dhe ne si shtet t’i mbështesim”, tha ai.

Peleshi foli për avantazhet e bujqësisë komerciale kundrejt asaj tradicionale, dhe rritjen e mirëqënies së fermerit shqiptar.

“Treguesi i punës tonë, të Ministrisë së Bujqësisë dhe i Drejtorive të Bujqësisë nëpër rajone, do të jetë: sa numri i fermerëve që shkojnë nga kulturat e vjetra dhe me pak fitim, u japim vetëm mbijetesën, drejt kulturave të reja, mundësisht drejt 15 kulturave të reja, të cilat krijojnë të ardhura, biznes, ekonomi, dhe pse jo, pasuri dhe mirëqënie për fermerin shqiptar”, tha ai.

Top Channel