Ndërmjetësi i OKB-së për emrin e Maqedonisë, Mattheë Nimetz mbërrin javën e ardhshme në rajon për të matur pulsin e qeverisë maqedonase dhe asaj greke, mbi zgjidhjen e ngërçit afatgjatë.

Udhëtimin e tij e nxiti optimizmi në rritje mbi gjetjen e një rrugëdaljeje, të cilin e ushqeu në mënyrë të veçantë takimi i Alexis Tsipras me Zoran Zaev në Davos të Zvicrës dhe lëshimi i bërë prej këtij të fundit me emrin e Aeroportit të Shkupit.

Raportet në media tregojnë se Nimetz, më së pari do të vizitojë Athinën, ndoshta të hënën apo të martën, përpara se të marrë rrugën e Shkupit nga mesi i javës.

Gjatë kësaj ndalese, zytari i Kombeve të Bashkuara do të ketë takime me krerët e ekzekutivëve të të dyja vendeve, si dhe me ministrat e tyre të Jashtëm, të cilët pritet të angazhohen drejtpërdrejt në bisedimet e emrit, që duket se deri tani po ecin mirë.

Në raundin e fundit të negociatave, të mbajtura në Nju Jork më 18 janar, Nimetz u paraqiti palëve disa ide të reja, me shpresën se do të ndihmojnë në kapërcimin e mosmarrëveshjeve.

Ai nuk i bëri publike propozimet e veta, duke pohuar vetëm se ato nuk janë krejtësisht të reja, por tani po prezantohen në një tjetër kontekst, duke iu referuar kështu ndryshimit të rrethanave politike dhe toneve të optimizmit që kanë përfshirë të dyja palët.

Si shtypi grek, ashtu edhe ai maqedonas, raportojnë se paketa e Nimetz përmbante 5 alternativa të një emri të ri të Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar.

Top Channel