Shqipëria mund Becchettin. Çështja e HEC-it të Kalivaçit u gjykua në Arbitrazh

25/01/2018 13:10

Shqipëria fiton në abitrazhin ndërkombëtar kundër Hydro SRL, me aksioner Francesco Becchettin për çështjen e koncesionit të hidrocentralit të Kalivaçit.

Kompania italiane pati paditur në tetor të 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Republikën e Shqipërisë, duke kërkuar zgjidhjen e marrëveshjes së koncesionit të hidrocentralit të Kalivaçit, për faj të Shqipërisë dhe njëkohësisht duke kërkuar një dëmshpërblim prej 137 milionë euro dhe mbulim të kostove të procesit në arbitrazh.

Qeveria e Shqipërisë nga ana saj paraqiti kundër padi, duke pretenduar se ka qenë Hydro SRL që nuk ka përmbushur kontratën e koncesionit duke i shkaktuar një dëm prej 158 milionë euro. Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej rreth 13 milionë euro.

Trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e kompanisë italiane duke e ngarkuar me faj për mospërmbushjen e Kontratës. Arbitrazhi ka vendosur në favor të Shqipërisë duke detyruar Hydro S.R.L që të paguajë 13 milionë euro kamat vonesa dhe të gjithë kostot ligjore dhe të procesit të arbitrazhit që shkojnë në 1,2 milionë euro.

Në një vendim të dytë, Trupa e gjykimit do të vendosë vlerën e dëmshpërblimit që investitori italian do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit bashkë me të gjithë interesat dhe kostot e tjera të zbatueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA