Rikthehet Superiorja, protesta e opozitës e zhvendos të premten

25/01/2018 16:28

Rikthehet kampionati shqiptar i futbollit pas një periudhe relativisht të gjatë faze përgatitore, kryesisht në Antalia të Turqisë.

Të gjitha ndeshjet e kësaj jave të 16 të Superiores do të zhvillohen ditën e premte, një kërkesë kjo e Policisë së Shtetit për shkak të angazhimit të saj në protestën e opozitës në fundjavë, pavarësisht se asnjë ndeshje nuk luhet në Tiranë.

Gjithsesi, ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave, të paktën në letër, është përballja mes Flamurtarit dhe Partizanit. “Të kuqtë” e kryeqytetit do të udhëtojnë drejt Vlorës për t’u përballur me vendasit, që aktualisht mbajnë vendin e dytë.

Partizani, nën udhëheqjen e Starovës ka bërë hapa pozitivë dhe vet trajneri shpreson që të mbyllë këtë fazë të dytë, nga e cila kanë mbetur edhe dy ndeshje, me fitore, duke filluar nga kjo e së premtes.

Edhe pse me një domethënie të veçantë për Duron, kjo përballje me Partizanin, duke qenë se njihet si një figurë e skuadrës së kryeqytetit, sot nën drejtimin e Flamurtarit të Vlorës ai shpresion të bëjë më të mirën.

Ndërkohë, kampioni i kësaj faze përgatitore dimërore është Kukësi, nga merkato, me në krye marrjen e trajnerit austriak Peter Pacult, deri te sukseset në ndeshjet miqësore.

“Jemi përgatitur shumë mirë këto 3 javët e kaluara, pasi kemi bërë ndeshje shumë të mira në Turqi gjatë fazës përgatitore. Sigurisht, tani që fillon kampionati edhe ndeshjet e tij do të jenë ndryshe. Na duhet të fitojmë medoemos ndeshjen nesër, e për këtë na duhet një përqëndrim maksimal që nga minuta e parë. Mund të them se, po të kemi një mobilizim si në ndeshjet miqësore do t’ia dalim. Unë tani e njoh këtë ekip. Edhe pse nuk dua ta krahasoj me fazën përpara se të vija, mund të them se faza përgatitore dhe rezultatet e arritura në Antalia kanë ndikuar shumë pozitivisht”, tha Peter Pacult, trajner i Kukësit.

Skuadra e Kukësit do të përballet këtë fundjavë me Vllazninë, në Shkodër, skuadër e cila nën drejtimin e Ernest Gjokës shpreson të kalojë këtë situatë të vështirë në vitin 2018.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të javës së 16, kryesuesit e Skënderbeut do të udhëtojnë drejt Gjirokastrës për t’u përballur me Luftëtarin, ndërsa Kamza pret Laçin dhe Teuta, Lushnjën në “Niko Dovana”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA