Itali, shkatërrohet klani Spada. 31 të arrestuar në Ostia të Romës

25/01/2018 18:15

Policia italiane ka ekzekutuar një sërë arrestimesh për të shpërbërë një grup të krimit të organizuar në Ostia, një periferi famëkeqe që ka qenë një nga pikat më të nxehta të hetimit antimafia të zhvilluar në kryeqytetin italian, Romë.

Plot 31 pjesëtarë dhe bashkëpunëtorë të klanit të dyshuar se drejtohet nga familja “Spada”, u kapën gjatë bastisjeve të nisur prej orëve të para të mëngjesit në Ostia, – njoftoi një zyrtar i policisë, – ndërsa një person mbetet ende në arrati.

Ostia është e vetmja prej 15 rajoneve të Romës që vihet nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë, për shkak të infiltrimit të pretenduar të mafias, pas një hetimi të gjerë të mbiquajtur “Mafia Capital”, që çoi në dhjetëra arrestime gjatë vitit 2014.

Fokusi u rikthye në Ostia gjatë muajit nëntor, kur Roberto Spada, pronar i një palestre dhe vëllai i një mafiozi të dënuar, u filmua teksa godiste një gazetar, i cili e pyeti nëse e mbështeste apo jo grupin e ekstremistëve të djathtë.

Roberto Spada dhe vëllai i tij më i madh, Carmine, i njohur edhe si “Romoletto” dhe i identifikuar si drejtuesi i këtij klani, ishin mes të arrestuarve të kësaj të enjteje.

Policia tha në një deklaratë se vëllezërit në fjalë kishin urdhëruar vrasjen në vitin 2011 të Francesco “Little Moustache” Antonini dhe Giovanni “Black Rat” Galleoni, të cilët u qëlluan me armë përpara lokaleve dhe restoranteve të një prej rrugëve më të populluara, vetëm pak metra nga plazhi.

Vrasja e dyfishtë “siguroi ngritjen në pushtet të klanit gjakatar Spada”, theksohet në komunikatën e policisë.

Veprimet kriminale të këtij klani përfshijnë rrëmbimet, por edhe huadhënie dhe trafikimin e drogave, ndërsa kishin formuar aleancë edhe me një grup lokal kriminal. Ata kontrollonin koncesionet fitimprurëse në bregdet, restorantet dhe lojërat e fatit, në rajonin prej 230 mijë banorësh, plazhet e të cilit mbushen nga turistë ditorë por edhe më të shumtë në verë, por në rrugët e të cilit sheh shpesh edhe prova të varfërisë së skajshme.

Kryebashkiakja e Romës, Virginia Raggi falënderoi policinë, prokurorët dhe ministrin e Brendshëm për arrestimet, përmes një statusi në “Twitter”.

“Roma çlirohet për një jetë më të mirë, pas operacionit kundër klanit Spada në Ostia. Së bashku t’i themi jo kriminalitetit. Mafia, jashtë Romës”.

Carmine Spada, shefi i klanit në Ostia të Romës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA