Kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj thotë se zhytja e ARMO-s në borxhe është bërë me dijeni nga organet qendrore ndër vite.

“Fakti që nuk u investua dhe u shfrytëzua do të thotë që aferat kanë qenë në maksimum, pasi bashkëpunimi duhet të ishte me organet qendrore, sepse nuk tolerohej akumulimi i borxheve”, deklaroi ai për “Të Paekspozuarit” në Top Channel.

Kapllanaj thotë se vetëm ndaj bashkisë ARMO ka akumuluar një borxh tek 6 milionë euro dhe shpjegon arsyet, sipas kendvështrimit të tij se përse nuk investohet tek rafineria.

“Ka kompani të fuqishme që lobojnë në pushtetin qendror që kjo uzinë të mos vihet në punë, sepse kanë interesa që nafta të importohet”, shprehet ai.

Ish-zv.ministri i Energjitikës, Gjergj Bojaxhi thotë se pa dijeninë e kryeministrave akumulimi i këtij borxhi ndër vite nuk mund të ndodhte.

“Një kompani me aq ekspozime borxhesh, nuk është një nivel korrupsioni i ulët. Të gjithë janë vënë para faktit, që qytetarët shqiptarë jo vetëm kanë barrë këto borxhe, por nuk ka asnjë zgjidhje institucionale për të ardhmen e këtij sektori strategjik. I vetmi njeri që mund të urdhërojë tolerancë ndaj kompanive të tilla, është Kryeministri, ai që ishte dhe ky që është”, deklaron Bojaxhi.

Top Channel