Aksident hekurudhor në Milano, 3 të vdekur, 5 në gjendje kritike

25/01/2018 08:36

Një aksident tragjik hekurudhor në Milano u ka kushtuar jetën 3 grave, 5 janë të plagosurit në gjendje kritike për jetën dhe 41 persona të tjerë kanë lëndime më të lehta.

Zjarrfikësit po përpiqen të çlirojnë disa pasagjerë të bllokuar në njërin prej vagonëve. Treni, i nisur nga Cremona drejt Milanos doli nga shinat në rrugën mes stacioneve të Treviglios dhe Pioltellos.

Në aksident u përfshinë 4 prej 6 vagonëve të tij, në një episod që detyroi ndërprerjen e menjëhershme të lëvizjes në linjën hekurudhore në fjale dhe nxiti një reagim të menjëhershëm të ekipeve të emergjencës e atyre zjarrfikëse.

Të gjitha mjetet e mundshme të ndihmës në rajon e jashtë tij u lajmëruan me urgjencë, që të niseshin drejt vendngjarjes sa më parë që të ishte e mundur. Me dhjetëra policë, infermierë e mjekë ndodhen atje, së bashku me Carlo Cardinalin, funksionarin që koordinoi operacionet e shpëtimit në Rigopiano, ku klientët e një hoteli mbetën të varrosur nën dëborë pas një orteku.

Rindërtimi fillestar i ngjarjes tregon se, lokomotiva dhe dy vagonët e parë kanë qenë duke lëvizur si normalisht, por ai që mendohet se mund të ketë qenë një keqfunksionim i ndërrimit të shinave, e kjo ka bërë që 4 vagonët e pasëm të lëvizin jashtë binarëve.

Zyrtarët sqarojnë sidoqoftë se është ende shpejt për të dalë në konkluzione, ndaj po presin rezultatin e hetimit.

Teknikë të “Rete Ferroviaria Italiana”, pjesë e grupit që menaxhon infrastrukturën hekurudhore në Itali, janë duke verifikuar aktualisht të gjithë binarët pranë stacionit të Pioltellos, me shpresën se do të arrijnë të zbardhin arsyet e incidentit.

Vëmendja e tyre është përqëndruar te fakti që nga shinat kanë dalë të parët vagonët qëndrore të trenit dhe jo ata të fillimit apo fundit të tij.

Ish-kryeministri Silvio Berlusconi deklaroi pas ngjarjes se, hekurudhat italiane kanë nevojë për përmirësime dhe se fakti që aksidente të tilla ka në mbarë botën nuk duhet konsideruar një arsye e mirë për të mos u thelluar te shkaqet e këtij episodi, e për të parandaluar një përsëritje të tij në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA