Ligji për kamerat e sigurisë, deputetët: Nuk e kap kamera peshkun e madh

24/01/2018 20:06

Përpara deputetëve të pakënaqur me zbatimin e ligjit për kamerat e sigurisë, Drejtori për Rendin në Policinë e Shtetit shpjegoi arsyet e vonesës në nxjerrjen e akteve nënligjore.

“Policia ka qenë e fokusuar në 3 objektiva që i ka përmbushur me sukses si lufta ndaj kanabisit, zgjedhjet dhe garantimi i sezonit veror”,tha Altin Qato.

Ligji për kamerat e sigurisë kishte si synim rritjen e zbulueshmërisë së autorëve, por duket se edhe vetë deputetët e mazhorancës mendojnë se kjo nuk ka funksionuar gjithmonë.

“I ka fiksuar kamera pa maska, pa asgjë dhe nuk ka autor. Nuk është kamera që mund të zbulojë kriminelin”, tha deputeti socialist, Paulin Stërkaj.

Sipas opozitës, problem kryesor është krimi i organizuar, që nuk luftohet me kamera sigurie.

“Më thuaj një që kanë kap kamerat nga peshqit e Lu-së? Këpusin grepin ata. Kamera kap cironka”, deklaroi deputeti i PD-së, Myslym Murrizi.

Top Channel