Lea, në kërkim të familjes

24/01/2018 20:44

Lea 20-muajshe, e cila u braktis që në lindje nga mamaja biologjike, prej një muaji ka gjetur një familje të re: me një mama, një motër dhe një vëlla.

Milena, e cila punon në një fondacion për të drejtat e njeriut, ka dy vite që ka aplikuar për të marrë kujdestarinë e një fëmije nga shtëpia e foshnjes. Dëshira e saj u realizua më 27 dhjetor, si një dhuratë për festat e fundvitit.

“Dëshira për të qenë një familje kujdestare në fakt ka ardhur që kur unë jam njohur me bashkëshortin tim. Edhe pse bashkëshorti nuk është më, dy fëmijët e mi kanë ndihmuar shumë në këtë finalizim. Në këtë fazë, me fëmijët që janë të rritur dhe në shkollë është pak më i lehtë organizimi”, shprehet Milena.

Fëmijët e Milenës janë 10 dhe 9 vjeç. Ata thonë se Lea ka sjellë një tjetër atmosferë në shtëpinë e tyre: “Ne na pëlqejnë shumë fëmijët e vegjël, kujdesemi shumë për të. E marrim në krahë, e tundim, i themi të duam shumë. Jemi shumë të gëzuar që ajo nuk është më me bebat e tjerë”.

Lea do të qëndrojë në familjen kujdestare deri në momentin që familja biologjike të ketë krijuar kushtet e përshtatshme.

“E folur herë pas here me fëmijët e dimë, e kemi të ngulitur në kokën tonë dhe jemi mësuar me idenë që ne do të kujdesemi, do t’i japim dashuri për këtë kohë. Për shkak se ajo do të bëjë edhe për pak kohë 2 vjeç, nuk është shumë mirë me fjalët, për shumë arsye, dhe ne kemi qëllimin që t’i mësojmë sa më shumë fjalë. Ndjehem mirë madje që ajo thotë ndonjëherë mami, mundohet të thotë edhe emrin tim”, tregon Milena.

Projekti i kujdestarisë është i ligjshëm dhe ka nisur në vitin 2015. Aktualisht, kanë marrë vendimin e gjykatës për t’u kujdesur për këta fëmijë dy familje, ndërsa shumë të tjera janë në pritje, megjithëse kanë fëmijët e tyre biologjikë. Këto familje marrin një stimul financiar nga shteti prej 9 mijë lekë në muaj.

Megi Xhumari, koordinatore programi, Shërbimet Sociale Bethany, thotë: “Nga studimet e shumta janë vërtetuar që institucionet rezidenciale dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve. Patjetër që familja kujdestare me familjen biologjike janë takuar më përpara, takohen në seanca gjyqësore dhe është marrë aprovimi nga familja biologjike”.

U deshën disa muaj që mamaja biologjike e Leas të bindej se një familje kujdestare është zgjedhja e duhur për të voglën.

“Unë nuk u ndjeva mirë që e lashë fëmijën tim aty, sepse çdo nënë është e dhimbshme, por kushtet nuk kanë qenë dhe m’u desh ta lija. U binda se më mirë është ta lija në një familje sesa atje ku ka qenë, se edukohet më mirë, sa t’i bëj kushtet për ta kthyer në familje me dy të tjerët”, shprehet Liria, nëna biologjike e Leas.

Liria ka dy javë që ka nisur punë në një fabrikë këpucësh, por është ende herët për të folur për një afat kohor se kur do ta marrë Lean nga familja kujdestare. Në çdo rast, për këtë do të vendosë sërish gjykata.

Top Channel