Në një intervistë dhënë për mediat serbe, Kryeministri Edi Rama tha se Serbia është përpara Shqipërisë sa i takon procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

“Është një proces i bazuar tek merita dhe ndërsa flasim Serbia është më përpara, sepse Serbia tashmë është duke negociuar dhe ne jemi duke pritur me padurim të nisim negociatat këtë vit. Por është një garë e shëndetshme, le të themi. Po, ne duam shumë të kemi një ecuri shumë më të shpejtë, le të themi dhe pse jo të jemi thjesht në të njëjtën pozitë në të ardhmen dhe pse jo të hyjmë në BE së bashku, me presupozimin që Serbia të njohë Kosovën”, u shpreh ai.

Kryeministri komentoi edhe debatin që ka përfshirë Kosovën në lidhje me Gjykatën Speciale.

“Unë mendoj që është një proces i pakthyeshëm, edhe pse mendoj së është e rëndësishme të kesh gjithnjë një mendje të hapur në lidhje me çfarë është më e mira dhe çfarë mund të përmirësohet. Kështu që nuk mendoj se ideja dhe gjykata si e tillë është në ndonjë lloj rreziku dhe nëse ka një debat rreth përmirësimit është një debat i mirë”, u shpreh ai.

Top Channel