Goglat e shortit të hedhur në Lozanë të Zvicrës për Ligën e Kombeve e vunë Shqipërinë në të njëjtin grup me Izraelin dhe Skocinë, në grupin e parë të divizionit C, i vetmi me 3 skuadra.
Një short i vlerësuar i mirë jo vetëm nga trajneri italian, Christian Panucci, por edhe nga lojtarë të tillë me peshë, si Hysaj apo Mavraj.
“Një short shumë i mirë dhe një mundësi e madhe për të shkuar në Europian. Po punojmë shumë mirë, megjithatë jemi mësuar të luajmë mirë kundër të gjithëve. Kundërshrarët janë të fortë, por besojmë se ne mund ta kalojmë grupin si të parët. Skocia ka një grup agresiv, por edhe ne luajmë mirë kundër skuadrave të tilla. Do të kemi kohë të përgatitemi”, shprehet Hysaj, mbrojtës i Napolit.
Mavraj, i cili aktivizohet në Gjermani me Hamburgun, e konsideron këtë mundësi si një borxh që duhet shlyer ndaj tifozëve.
“Kemi një borxh për të shlyer ndaj tifozëve, pas asaj që ndodhi në kualifikueset e shkuara. Duhet të fitojmë patjetër. Me Skocinë është një ndeshje e madhe, pasi luajmë për herë të parë me një skuadër britanike. Besoj se do të kemi shumë tifozë shqiptarë atje, që vijnë nga e gjithë Britania. Besoj se do t’ia dalim. Shpresoj që të mos kemi të njëjtin gjyqtar që kishim në ndeshjen me Izraelin. Almokohen është një mesfushor i Izraelit, e kam mik. Por nuk besoj se na duhet, ne jemi të fortë mjaftueshëm për ta mundur Izraelin”, thotë Mavraj.
E veç Shqipërisë, ai flet edhe për shortin e Kosovës.
“Kosova nuk ka rritur ende në nivelin tonë dhe normale që do të ketë kundërshtarë më të fortë. Besoj se edhe Kosova do të ketë mundësi që të bëjë më mirë dhe, ashtu si për Shqipërinë, urojmë më të mirën edhe për ta”, deklaroi Mavraj.
Top Channel