Banka Botërore raportoi pak ditë më parë se OSHEE nuk ka përmbushur objektivin për uljen e nivelit të humbjeve në rrjet sipas programit të rimëkëmbjes energjetike të dakordësuar me qeverinë shqiptare.
Vetë OSHEE pranoi se ky është i vetmi objektiv që nuk është arritur dhe se kjo lidhet me bazën mbi të cilin ka nisur monitorimi. Sipas Operatorit të Shpërndarjes të dhënat e Bankës Botërore kur u lidh marrëveshja nuk kanë qenë të sakta, pasi janë përdorur shifra të disa viteve më parë kur kompania sapo ishte privatizuar nga CEZ.
“Janë nisur në nivelin e humbjeve teknike të 15% kur ne sot që flasim humbjet teknike të kompanisë nuk janë 15%. Humbjet në 2014 teknike, ka në qenë 21%. BB në dijeninë time është nisur nga një studim i CEZ në vitin 2009. Që ajo situatë në 2009-2013 është përkeqësuar gjithnjë e më shumë sepse rrjeti po të mos investosh përkeqësohet”, tha Çela.
OSHEE do t’i kërkojë Bankës Botërore ndryshimin e objektivit të humbjeve teknike në programin e rimëkëmbjes energjetike.
“Ne kemi kërkuar rishikimin e humbjeve”, tha Çela.
Ndërkohë përsa i përket mos nisjes së procesit të ndarjes së OSHEE në dy njësi më vete tregtare dhe teknike, administratori i përgjithshëm thotë se plani nuk është realizuar për pak muaj. Sipas tij modeli është miratuar por do të duhen vite për t’u zbatuar.
“Fillon me ndarjen në headquarter dhe pastaj do kohën e vetë të shtrihet, se do ndahen në sete, procese, funksione e të gjitha që mund të marrë vite. Kroacia procesi i ndarjes i ka zgjatur 4 vjet”, vijoi Çela.
Top Channel