“Amerika e para”, ideologjia që po rrënon Dollarin amerikan

24/01/2018 16:41
Steven Mnuchin, Sekretari amerikan i Thesarit, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, Zvicër

Dollari amerikan ka rënë në nivelin më të ulët të tij në 3 vitet e fundit, kjo edhe për shkak të axhendës proteksioniste që pritet të ndiqet nga presidenti amerikan Donald Trump, e që do të ravijëzohet prej tij në një fjalim më vonë gjatë javës.

Kartëmonedha e gjelbër është vënë që më herët nën presion, pas opinionit se Rezerva Federale amerikane nuk është më aktore kryesore për sa i takon politikave të rrepta monetare, ndërsa rritja në rajone të tjera, veçanërisht në Europë, është përshpejtuar.

Goditja më e fundit për Dollarin amerikan erdhi pasi zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë të martën se, Trump do ta shfrytëzojë fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, të premten, për të nënvizuar politikat e tij “Amerika e para”.

Sipas kësaj axhende, Trump ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja për tregtinë e lirë në Amerikën e Veriut; është tërhequr nga marrëveshja globale për ndryshimet klimatike dhe ka kritikuar institucionet globale, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe NATO-n.

Indeksi i dollarit, që mat vlerën e kartëmonedhës së gjelbër përkundrejt 6 monedhave të tjera të rëndësishme, ra në 89.741 të mërkurën, për të parën herë që nga dhjetori i vitit 2014.

Sipas ekspertëve, ideologjia “Amerika e para”, mbetet një strategji e rrezikshme për Dollarin dhe për ekonominë amerikane po ashtu. E ndërsa Dollari bie, monedha e përbashkët europiane Euro ka arritur në nivelin më të lartë të saj në 3 vitet e fundit, duke u këmbyer me 1.2345 Dollarë amerikanë.

Po ashtu, edhe stërlina britanike është ngjitur në nivelin më të lartë të saj, që pas referendumit për daljen e vendit nga Bashkimi Europian në qershor të vitit 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA