“Varret e grekëve”, gërmimet në Sajmolë për të rënët në luftë

23/01/2018 19:46

Në luginën e Sajmolës në Tepelenë vijon gërmimi. Burime konfidenciale flasin për rreth 5 skelete të gjetur dhe 2 të identifikuar.

Ilmi Çaçi, 86-vjeç, banor i Dragotit, fshatit të vendosur 3 km larg luginës që njihet lokalisht me toponimin “Varret e Grekëve”, ishte fëmijë kur italianët ishin në tërheqje. Ai kujton se gjithë jetën banorët e zonës e ruajtën respektin për varrezën dhe ajo tokë asnjëherë nuk u punua.

“Kur u shkëputën grekët, italianët erdhën këtu dhe filluan i mbuluan nëpër male. Nuk ka italianë brenda. Ata i kanë varrosur me medalionë dhe ia kishin futur në një shishe. Madje një pjesë të oficerëve i kishin futur edhe në arkivolë llamarine,” shprehet Ilmi Çaçi.

Lefter Zani nga Greqia është i biri i një prej ushtarëve që kanë luftuar në këtë zonë.

“Babai im ishte mes ushtarëve me fat të luftës sepse shumica e skuadrës së tij gjenden ende nën këtë tokë. Babai e tregon historinë sesi hynë këtu e si u ndoqën nga italianët deri në Kallpaq sesi patën shumë ditë luftime në lartësinë e maleve. Me mbërritjen e përforcimeve me ushtarë të rinj grekë nga Kreta dhe rajone të tjera të Greqisë filloi tërheqja e italianëve dhe kjo luginë këtu është një zonë ku janë kryer shumë beteja gjatë tërheqjes. Nga sa më ka thënë babai krerët e kompanive kishin të gjithë medaloine por jo ushtarët e thjeshtë, ata kishin vetëm letërnjoftimin,” tha ai.

Pritet që rezultatet e para për identitetin e eshtrave të gjetura të mbërrijnë pas 10 ditorit të parë të gërmimeve.

Top Channel