Në burg, pas divorcit dhunonte ish bashkëshorten në sytë të fëmijëve

23/01/2018 15:16

Dhuna ndaj grave, nuk është një fenomen vetëm brenda familjes, por vazhdon edhe pas ndarjes së çiftit.

Këtë e vërteton një 35-vjeçare, nënë e dy fëmijëve e cila ka vuajtur përndjekjen dhe dhunën e ish bashkëshortit edhe pas ndarjes në gjykatë. Ankthi, frika dhe pasiguria për fëmijët e detyruan ta denonconte ish bashkëshortin, i cili e kishte kthyer në rutinë të përditshme, përndjekjen, ofendimet dhe kërcënimet.

Madje ai, arrinte të gjente edhe numrat e telefonit të njerëzve me të cilët shoqërohej ish bashkëshortja duke i kërcënuar që të mos shoqëroheshin me të. Përndjekja arriti kulmin kur ai ushtroi dhunë edhe në sy të fëmijëve të mitur.

“Më ka zbritur me forcë nga autobuzi, më ka sharë dhe ofenduar dhe më pas më ka futur në makinën e tij. Mi vendosi duart në fyt në prani të fëmijëve dhe unë menjëherë kam marrë avokaten time dhe kam përgatitur kërkesën për urdhër mbrojtje”, ka dëshmuar e dëmtuara.

Duke qenë se dhuna dhe përndjekja ka ndodhur edhe në sy të fëmijëve, gjykata e ka shtuar masën e dënimit, ku përveç dënimit me 6 muaj burgim për akuzën e përndjekjes, ish bashkëshortit i janë shtuar edhe dy muaj burgim të tjerë, për shkak se i ka kryer veprimet në sy të fëmijëve.

Top Channel