Kandidatët për KLGj-KLP, PD e LSI: Lista është e kompromentuar

23/01/2018 20:00

5 kandidatë nga lista me 10 emra që shorti përzgjodhi për anëtarët jogjyqtarë dhe jo prokurorë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kanë sipas Partisë Demokratike problematika të atilla që e delegjitimojnë procesin.

“Nëse procesi i reformës do të ishte bërë me konsensus, sot organet e drejtësisë do të ishin të gjitha në këmbë”, thotë Oerdb Bylykbashi.

Dokumentat për secilin rast i detajoi këshilltari ligjor i PD-së, Gazmend Bardhi.

“Evidentimi i problematikave për mospërmbushjen e kritereve është detyrim kushtetues”, thotë Bardhi.

Sipas PD-së, në listën për KLGJ nuk mund të jenë Altin Hazizaj, Sokol Lamaj, dhe Ilir Panda, ndërsa për KLP duheshin përjashtuar Kozma Jano dhe Alfred Balla.

Si PD dhe LSI thonë se vetë kandidatët, apo dhe Kuvendi kanë fshehur dokumenta dhe të dhëna; është anashkaluar dhe vlerësimi i ONM-së.

“Mund të konsiderohet një proces i kompromentuar thellësisht”, deklaron kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Reagimi erdhi nga Kozma Jano, i cili mohon vërtetësinë e dokumentit që publikoi PD, si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Ai thotë se nuk ka pasur ndonjëherë teserë partie.

Parlamenti provon tre herë për konsensus. Por lista e herës së tretë mbetet në fuqi në rast se përsëri nuk bëhen 94 vota për miratimin e saj.

Top Channel