Gjobëvënie ish të dashurës, e kërcënonte se do të publikonte foto intime

23/01/2018 15:22
Mentor Lecini

Gjobëvëniet mes ish-partnerësh dhe të rinjsh që kërcënojnë njeri-tjetrin me foto intime nuk janë të panjohura për gjykatën. Një rast i tillë po gjykohet te Krimet e Rënda, por i akuzuari mohon ta ketë kërcënuar ish-të dashurën.

“Unë kam vrarë një njeri dhe nuk kam problem të vras edhe të tjerë”. Me një kërcënim të tillë dhe disa foto intime të ish të dashurës 17-vjeçare , Mentor Lecini ka shantazhuar familjen e saj se do t’i publikonte nëse nuk e paguanin.

Si edhe mjaft të tjerë që kanë përdorur një histori dashurie për të vendosur gjobë, Leçini doli para Krimeve të Rënda për veprën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie.

Ai po gjykohet nën masën e arrestit shtëpiak për një ngjarje të cilën e kundërshton, si të sajuar nga familjarët e ish partneres. Sipas të pandehurit, kallëzuesit e kanë vendosur para togave të zeza për t’iu shmangur një broxhi të papaguar prej kohësh.

Por prokuroria mendon se ka prova të mjaftueshme që hedhin dyshime mbi 37-vjeçarin, baba i tre fëmijëve.

Në referim të veprimeve të kryera nga policia e Kavajës prokurori shprehet se Lecini posedonte foto intime të ish partneres dhe të nënës së saj, me të cilat kërcënonte e do t’i publikonte në rrjetet sociale. Për shkak të ndryshimeve ligjore gjatë seancës gjyqtarja përmendi se në proces do të marrë pjesë edhe pala e dëmtuar.

Ndërkohë që i pandehuri dha pëlqimin që gjatë gjykimit, në rast se ai nuk paraqitet në seancë të përfaqësohej nga avokati i tij.

Për 2017 janë gjykuar 13 raste gjobëvëniesh mes ish partnerësh dhe të rinjsh që kërcënojnë njëri-tjetrin me foto intime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA