Rivaliteti ushtarak, britanikët: Rrezikojmë të mbetemi pas Rusisë

22/01/2018 12:16

“Pa një nivel më të lartë investimesh, forcat ushtarake britanike rrezikojnë të mbeten një hap prapa Rusisë”, paralajmëron shefi i Shtabit, gjeneral Sir Nick Carter.

Aftësia e forcave ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për të reaguar ndaj kërcënimeve do të gërryhet – sipas tij, – nëse nuk ruhet i njëjti ritëm zhvillimi me kundërshtarët.

Fjalimi i aprovuar edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, Gavin Williamson, vjen në mesin e spekulimeve mbi shkurtime të mundshme në sektorin e Mbrojtjes në Angli.

Gjenerali Carter u përpoq të evidentonte aftësinë e Moskës në luftën kibernetike, e kujtoi sesi ushtria ruse ndërmori vitin e kaluar një stërvitje në shkallë të gjerë, ku përfshiheshin sulme të simuluara në veriun e kontinentit të vjetër, nga Kaliningradi deri në Lituani.

Në fjalën e tij, gjenerali e tërhoqi vëmendjen edhe te raketat ruse. “Ndërsa forcat e Moskës ndërhynin në Siri, 26 raketa u dislokuan në një rreze prej 1.500 km”, tha ai.

Rusia, – sipas Carterit, – është duke krijuar një forcë agresive ekspedite, që i kapërcen shumë aftësitë e ushtrisë britanike. “Kërcënime të mundshme ushtarake janë sot në dyert e Britanisë së Madhe”, paralajmëron ai.

Kryeministrja britanike Theresa May deklaroi vitin e kaluar se, Rusia ka ndërmarrë një fushatë të gjatë e të pandërprerë spiunazhi dhe sulmesh kibernetike ndaj kombeve të tjera, ndërsa faktin që aftësia e ushtrisë britanike është sot prapa asaj të Moskës e pohon edhe ish-kundëradmirali i Marinës, Chris Parry, që tha për BBC-në se, në raporte cilësie, britanikët do të gjendeshin në pozita të dobëta përballë rusëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA