Pas një debati të zgjatur dhe pasigurisë që mbizotëroi deri në minutën e fundit, Kongresi i socialdemokratëve gjermanë i dha “dritën jeshile” pjesëmarrjes në bisedimet e koalicionit të ri qeveritar me konservatorët e Angela Merkelit, gjë që do t’i japë fund ngërçit politik të vendit.
Kreu i SPD-së, Martin Schulz u shpreh i lehtësuar, edhe pse rezultatin e ngushtë të votimit, disa analistë e interpretuan si shenjën se ai nuk ka dorë të fortë mbi partinë e vet.
Në debatin paraprak gjatë ditës së diel, Partia Socialdemokrate u tregua mjaft e përçarë, megjithatë në fund, mes 642 delegatëve që debatuan gjatë mbi mundësinë e koalicionit apo atë të rigjenerimit në opozitë, arriti të triumfonte “Po”-ja.
Schulz u përpoq ta jepte sa më të përmbledhur mesazhin e tij në Konventë.
“Zgjedhja është vetëm një: ose negociata, ose zgjedhje të reja. Pozicioni im është i qartë. Unë nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë rruga e duhur për ne”, tha Martin Schulz, kryetar i SPD-së në Gjermani.
Merkel e përshëndeti votën pro të socialdemokratëve duke deklaruar se, në këtë mënyrë iu çelet rruga negociatave të krijimit të qeverisë, për të cilat Kancelarja shpreson se do të arrijnë të përmbyllen deri më 12 shkurt.
Kjo është periudha më e gjatë e krijimit të një koalicioni qeverisës në Gjermani që prej fundit të luftës. SPD-ja i ka bashkuar forcat me CDU-në në 8 nga 12 vitet e fundit, por pas rezultatit të dobët historik të zgjedhjeve të muajit shtator, Schulz ishte zotuar ta linte partinë e vet në opozitë.
Megjithatë, presionet mbi të u shtuan ndjeshëm që prej nëntorit, kur Merkel nuk arriti të ngrinte në këmbë një koalicion me liberalët dhe “të gjelbrit”.
Top Channel