Shoqatat e futbollit, si Shoqata e Mjekëve Sportivë, ajo e Trajnerëve apo e Arbitrave, që janë anëtare me të drejtë vote të Federatës, janë cilësuar nga deputeti socialist Bashkim Fino, kandidat për kreun e Federatës, si organizata kriminale.
Fino dhe mbështetësit aktualë të tij i konsiderojnë shoqatat si fiktive dhe vegla të kandidatit tjetër, presidentit aktual Armand Duka. Ndaj dhe presidenti i Flamurtarit, që mbështet Bashkim Finon, ka bërë një padi në Prokurori.
“Këtu nuk bëhet fjalë për regjistrimin në gjykatë të vendimmarrjes që ka bërë Asambleja shqiptare e futbollit, ku bëjnë pjesë edhe këto organizata kriminale. Me kërkesë të një klubi, Flamurtarit, ne i kemi vazhduar dhe po ecim me procedurat. Do të ecim edhe më fort e po u them atyre 12 shoqatave fantazmë që të kenë një gjë parasysh: nuk duhet të qasen te dera e Asamblesë zgjedhore”, deklaroi Fino.
Tahir Kastrati, president i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe anëtar i Komitetit të Federatës hedh poshtë akuzat që i janë bërë shoqatës së tij.
“Jemi akuzuar hapur se jemi një shoqatë fantazmë. Unë mund t’iu paraqes juve vendimin e gjykatës, që kjo është shoqatë dhe është regjistruar që në vitin 1998 e ka funksionuar në vazhdim”, tha Tahir Kastrati, president i Shoqatës së Arbitrave.
Por mbështetës të Bashkim Finos kanë shkuar më larg, duke përmendur burgun. Ky presion ka indinjuar disa prej emrave të njohur të futbollit shqiptar.
“Është e papranueshme edhe njëherë për ne njerëzit që të gjithë jetën jemi marrë me sportin, që të na akuzojnë, të na terrorizojnë, të na kërcënojnë. Kjo është e papranueshme”, u shpreh më tej Tahir Kastrati.
“Nuk mendoj se është mirë që një kandidat, i cili nesër mund të jetë edhe president i Federatës, të fillojë punën e tij në këtë mënyrë, me burg, persekutime, apo prokurori”, deklaroi ndërkohë Armir Grima, trajner i Kombëtares së Femrave.
“Unë në burg, të kërcënohem? (Qesh) Unë bëj pjesë në shtëpinë time. Sigurisht futbolli është pjesë e shtëpisë sime, është familja ime. Kërcënime të tilla nuk duhet të ekzistojnë. Nuk është se unë jam i fortë, por di që jam me këllqe, në kuptimin e mirë të fjalës. Pra, atë që e bëj, e bëj me ndërgjegjen më të mirë”, tha Sulejman Mema, përfaqësues i Shoqatës Rajonale Tiranë.
Pas këtij reagimi në bllok, kandidati Fino u duk se zbuti tonet, kur shkruajti në llogarinë e tij në Facebook se i vinte keq për disa figura të njohura të sportit që janë keqpërdorur ligjërisht.
Top Channel