“Euro 2016” në celuloid, ekspozitë në Muzeun Kombëtar nga FSHF

22/01/2018 17:58

Arritja më e madhe e futbollit shqiptar në rang ndërkombëtar, prania në finalet e një Europiani ishte në fokusin e ekspozitës së veçantë të hapur në ambientet e Muzeut Kombëtar në Tiranë.

“Suksesi në Euro 2016” është tema e galerisë, ku për 3 ditë me radhë, dashamirës të futbollit do të kenë mundësi të shikojnë nga afër foto unike, shoqëruar me fanellat e Kombëtares dhe copëza videoje nga momentet magjike të kompeticionit kontinental.

Të pranishëm në këtë aktivitet, që ngjalli kërshëri për pjesëmarrësit, ishin ish-futbollistë të Kombëtares, trajnerë, njerëz të futbollit, media dhe qytetarë të shumtë.

“Jemi në prag të shortit të Ligës së Kombeve, pra fillimi i një edicioni të ri. Duke parë dhe duke kujtuar eventin dhe suksesin tonë më të madh, patjetër që e jep qartë mesazhin se ne jemi për të qenë pjesë e këtyre eventeve. Gjithçka nis me shortin që do të hidhet të mërkurën, nisja zyrtare e eventit, e gjithashtu edhe përgatitja për Euro 2020, pasi nëpërmjet Ligës së Kombeve sigurohen 4 bileta për në Europianin e ardhshëm. Pastaj, synimi ynë është Botërori”, u shpreh Armand Duka, kandidat për kreun e FSHF-së.

Shqipëria u kualifikua për herë të parë në një turne madhor, me pjesëmarrjen në Europianin që u zhvillua në Francë. Veç pranisë së madhe të tifozëve kuqezi, që e kthyen çdo ndeshje në festë, përfaqësuesja jonë arriti të fitonte edhe një ndeshje, atë ndaj Rumanisë me golin e Armando Sadikut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA