Dopingu në Peshëngritje, Shqipërisë i hiqet organizimi i Europianit

22/01/2018 15:37

Si të mos mjaftonte rasti i fundit i dopingut, që rrezikon ta lërë Shqipërinë për një kohë të gjatë larg aktiviteteve ndërkombëtare, vendit tonë i hiqet mundësia edhe për të organizuar një turne elitar si Europiani i të rriturve.

Federata Europiane e Peshëngritjes, e ndikuar nga dorëheqja e presidentit Gjoza dhe testimi pozitiv me substanca të ndaluara i kampiones Romela Begaj, ka vendosur të mos e konsiderojë Shqipërinë për turneun pas dy muajsh.

“Fatkeqësisht, Bordi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dha dorëheqjen për probleme dopingu dhe FSHP-ja nuk mund ta organizojë Europianin në fund të muajit mars. Ky është një problem i papritur dhe shumë serioz për Federatën Europiane dhe vendet pjesëmarrëse. Ne tashmë kemi dy opsione, të gjejmë një vend të ri organizator, ose ta shtyjmë Europianin që t’i japim kohë vendit të ri për organizimin. Do të negociojmë fillimisht me disa vende anëtare që të vendosim organizatorin e ri, pasi prioriteti ynë parësor është organizimi i kompeticionit në kohën e përcaktuar më parë, pra nga 26 marsi deri në 1 prill”, thuhet në komunikatën e EWF-së.

Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza dha dorëheqjen për shkak të skandalit mbi dopingun e Romela Begajt, edhe pse për ta verifikuar këtë do të duhet përgjigjja e testit B. Drejtimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes e ka marrë përkohësisht Gudar Beqiraj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA