Vasili: Edi Rama, armiku i vetëm publik i reformës në drejtësi

21/01/2018 18:02

Petrit Vasili thotë se Kryeministri Edi Rama është i vetmi armik publik i reformës në drejtësi.

“Sot në 21 janar nuk ka drejtësi, sepse Kryeministri e vrau reformën në drejtësi, rivrau idealin e drejtësisë së barabartë dhe varrosi çdo iluzion se ai e donte reformën në drejtësi”, shkruan kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së në rrjetet sociale.

Momenti kur nisi hapur kapja e reformës në drejtësi, sipas Vasilit, është zgjedhje e Arta Markut si kryeprokurore dhe vazhdon, po sipas tij, me propozimin e socialistëve për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit.

“Rregullorja e Parlamentit, e propozuar nga Kryeministri për të penguar haptas ndjekjen penale, ata që akuzohen për korrupsion e trafiqe ishte provë pa koment se Kryeministri rrënoi drejtësinë e paanshme dhe të barabartë për të gjithë”, vijon ai.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së thotë se lista e kandidatëve për KLP dhe KLGj është e manipuluar.

“Manipulimi i listës së kandidatëve për KLP dhe KLGj, që shërbëtorët e tij e bënë me zell të shfrenuar, ishte degradimi juridik e moral i reformës në drejtësi nga Kryeministri”, deklaron Vasili.

Top Channel