Në fundin e oqeanit Atlanik gjendet sot një prej librave më të vyer, të rrallë, por edhe të shtrenjtë të botës. “Rubairat” e Omar Kajamit, të përkthyera nga Edward FitzGerald në vitin 1860, ishin ndoshta viktima më e famshme e tragjedisë.
“Rubairat përbëjnë padyshim përpjekjen më ambicioze të ndërmarrë nga një libralidhës në histori”, do të deklaronin në vitin 1911 botuesit e tij britanikë, Sangorski dhe Sutcliffe, që mburreshin me ilustrimet e rralla nga Elihu Vedder, mbi 1.000 gurët e çmuar dhe gjysmë të çmuar që zbukuronin faqet e librit: rubinë, smeraldë, ametistë e të tjerë, së bashku me 5.000 copa lëkure, argjendi, fildishi, abanozi dhe 600 fletë të holla ari 22-karatësh.
Libri fillimisht u tentua të dërgohej në Nju Jork për të tërhequr blerës, por Dogana amerikane kërkoi të paguhej një shumë e madhe parash për kalimin e tij, ndaj u kthye mbrapsht në Angli, ku u ble nga Gabriel Wells në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” për 450 paundë, më pak se gjysma e çmimit të merituar prej më shumë se 1.000 paundësh.
Wells synonte gjithashtu dërgimin e kryeveprës në Amerikë. Fatkeqësisht për të dhe për të gjithë botën, “Rubairat” nuk u arrit të dërgohej me anijen që ishte parashikuar fillimisht dhe përfundoi në bordin e Titanikut.
Nipi i njërit prej botuesve, Stanley Bray ishte i vendosur të ripërtërinte jo vetëm kujtimin e Omarit të madh, por edhe atë të librit të veçantë, ndaj duke përdorur vizatimet origjinale arriti që pas 6 vitesh të mundishme të krijonte një kopje të librit, e cila u vendos këtë herë në kasafortën e një banke.
Top Channel