Duke mbajtur flamuj si dhe pankarta që shkruanin “Maqedonia është greke”, mijëra qytetarë kryesisht nga Selaniku, por edhe nga Greqia veriore dhe jo vetëm, u mblodhën në një tubim proteste para statujës së Aleksandrit të Madh, për të protestuar që termi “Maqedoni” të mos jetë pjesë e emërtimit të fqinjit verior të Greqisë.
Megjithëse mediet bëjnë fjalë për rreth 40 apo 50 mijë vetë, organizatorët theksojnë se më shumë se 400 mijë grekë kanë marrë pjesë në mitingun e protestës.
“Nuk e pranojmë këtë me asgjë në botë. Kjo nuk do të kalojë”, tha një protestues.
Të veshur me kostumet tradicionale maqedonase të grekëve që luftuan për çlirimin e Greqisë veriore nga ushtria bullgare, me kostume të ushtarëve të Maqedonisë së lashtë, madje edhe mbi kuaj, pjesëmarrësit kanë protestuar duke theksuar se askush nuk mund të vjedhë historinë e një populli.
Këtë ka përsëritur edhe vet mitropoliti i Selanikut, që ka marrë pjesë në miting, bashkë me të gjithë deputetët e Greqisë së Veriut, të Demokracisë së re, por edhe të partisë së koalicionit qeveritar “Grekët e Pavarur”.
“Greqia është Maqedonia, brenda shpirtit tonë, brenda ndërgjegjes sonë, brenda dëshirave tona për të ardhmen e atdheut tonë”, tha mitropoliti i Selanikut, Anthimos.
Me interes pritet fakti nëse në kuadrin e Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës, pas disa ditësh do të takohen dhe do të diskutojnë për çështjen e emrit kryeministrat Tsipras dhe Zaev, të cilët nga njëra anë theksojnë se është një rast i mirë për të zgjidhur një çështje që mbetet prej gati 3 dekadash, e nga ana tjetër ndodhen nën presionin e një shumice të konsiderueshme qytetarësh në të dyja vendet e tyre.
Top Channel