Propozimet mbi emrin e Maqedonisë, për të cilat u negociua në Nju Jork mes përfaqësuesve dhe ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz, nuk u bënë publike, por kjo mbetet një prej çështjeve kryesore për shtypin maqedonas e atë grek.

E përditshmja greke “Ethnos” shkruan se, Nimetz hodhi të paktën 3 propozime në tryezën e bisedimeve: “Nova Makedonia” (Maqedonia e Re), “Severnia Makedonia” (Maqedonia Veriore) dhe “Gorna Makedonija” (Maqedonia e Epërme).

Ato e përmbajnë që të gjitha emërtimin “Maqedoni”, me të cilin nuk pajtohen aleatët e koalicionit qeveritar të shefit të ekzekutivit grek, Alexis Tsipras, por Nimetz e bëri të qartë që në fillim se shmangia e këtij termi nuk është aspak realiste.

Në mesin e emrave të lakuar ishte edhe “Vardarska Makedonia” dhe “Republika e Maqedonisë Shkup”, me të cilën duket nuk pajtohen shqiptarët e kryeqytetit maqedonas.

Qeveria e Zaevit nuk ka dhënë asnjë detaj nga takimi, por zv.kryeministri për Çështjet Europiane, Bujar Osmani njoftoi se, të hënën ekzekutivi planifikon të mblidhet për ta shqyrtuar kornizën e për të dalë me një qëndrim të përbashkët.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Canakopulos tha se, edhe qeveria greke do të bëjë çmos për zgjidhjen e ngërçit, pa u cënuar interesat kombëtare dhe në mënyrë që të dyja palët të dalin të fituara.

Idesë së një zgjidhjeje të shpejtë të çështjes së emrit i mëshoi fort edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha një ditë më parë në Shkup se Maqedonia është më afër se kurrë anëtarësimit në aleancën ushtarake, por më parë duhet të marrë fund mosmarrëveshja e saj disavjeçare me vendin fqinj.

Top Channel